Policia e Tiranës ka arrestuar një 27-vjeçar i cili blinte produkte dentare, duke mashtruar furnitorë, se ishte përfaqësues i një kompanie në këtë fushë (në të cilën kishte punuar më parë), të cilat më pas i shiste kundrejt fitimit.

Sipas hetimeve paraprake rezulton se 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar rreth 12 000 euro.

Operacioni për kapjen e tij u kodua “Reputacioni”.

“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të një kompanie dentare, se një shtetas i paautorizuar prej tyre, ish punonjës në këtë subjekt, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të kompanisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Reputacioni”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare, duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë në këtë fushë, në të cilën kishte punuar më parë, për të blerë produkte, të cilat më pas i shiste në klinika. Nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash (të dokumentuara deri tani, rreth 12 000 euro)”, njoftoi sot Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.