Shitja e ARMO-s, blerësit e rinj
rrezikojnë gjobë 13 milionë euro

Shitja e ARMO-s, blerësit e rinj<br />rrezikojnë gjobë 13 milionë euro
TIRANE- Shteti shqiptar mund ta anulojë kontratën e shitblerjes së aksioneve të zotëruara nga Rezart Taçi në ARMO. Kjo është pohuar dje nga burime të Autoritetit të Konkurrencës, të cilët janë habitur nga regjistrimi i veprimit të kryer në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ndërkohë që me ligj nuk lejohet të veprohet në këtë mënyrë, kur fjala është për veprime financiare që përbëjnë përqendrim.

Shitja e 80% të aksioneve të kompanisë AMRA nga Rezart Taçi tek subjekti i panjohur Heaney Assets Coorporation solli kalimin e pronësisë edhe mbi ARMO-n, duke qenë se ARMA zotëronte 85 për qind të aksioneve të rafinimit të naftës dhe 15 për qind e zotëron shteti shqiptar. Transaksioni i regjistruar edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) më datën 8 gusht, ka të parregullt jo vetëm faktin se është kryer ditën kur administrata nuk punonte për shkak të festës fetare të Bajramit të Madh, por ajo rrezikon që të shpallet e pavlefshme edhe për shkak se, në bazë të ligjit për konkurrencën, në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duhet të ishte bërë paraprakisht njoftimi i përqendrimit të këtij transaksioni. 

Sipas nenit 14 të ligjit për konkurrencën, pika 1, gërma a, përqendrimet nuk realizohen përpara njoftimit tek Autoriteti i Konkurrencës dhe, për më tepër, nuk duhet të bëhet ndryshimi i aksionerëve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pa u shqyrtuar përqendrimi nga Autoriteti.

Pasi është kryer një veprim i tillë tashmë, penaliteti më i vogël është ai me gjobë. Sipas ligjit, kompania ARMO rrezikon gjobë, si për mosnjoftim, ashtu dhe për realizim të ndryshimeve të panjoftuar. Për mosnjoftim, në bazë të nenit 73, pika 1, rrezikohet gjobë deri në 1% të xhiros. Ndërsa për regjistrim të transaksionit në QKR pa njoftuar, gjoba është më e rëndë: ajo shkon deri në 10% të xhiros vjetore, sipas nenit 74, pika 1, gërma d.

Duke pasur parasysh që xhiroja e deklaruar e ARMO-s në organet tatimore ishte rreth 130 milionë euro në 2012-n, atëherë kompania rrezikon një gjobë jashtëzakonisht të madhe: deri në 13 milionë euro. Por, në rast se shteti do, gjoba është penaliteti më i vogël, ndërkohë që ai edhe mund ta anulojë veprimin e transferimit të aksioneve. Për më tepër, ka patur edhe një numër urdhërash ekzekutimi ndaj Rezart Taçit, të miratuara me vendim gjykate, të cilat e bëjnë gjithashtu nul shitjen e aksioneve të zotëruara prej tij, duke qenë se vendime të tilla ishin të depozituara në QKR para se të regjistrohej shitblerja.

Banka të ndryshmë që operojnë në vend, si dhe subjekte, të cilëve Taçi u detyrohej shuma të konsiderueshme, apo Tatimet e Doganat kanë kërkuar bllokimin e aseteve të biznesmenit apo familjarëve të tij. Duke u nisur nga borxhet ndaj shtetit, Task Forca e ministrisë së Financave bllokoi veprimtarinë e rafinerive të tij në Fier e Ballsh.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mahmutaj për Report Tv: Suel Çela pagoi Artan Hoxhën për të manipuluar informacionet, i ka shtrirë tentakulat deri te gazetarët! Inskenuan kërcënimin

Mahmutaj për Report Tv: Suel Çela pagoi Artan Hoxhën për të manipuluar informacionet, i ka shtrirë tentakulat deri te gazetarët! Inskenuan kërcënimin