Situata mjaft kaotike në ekipin e Tiranës ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve duke përfshirë tifozët, ish-futbollist dhe drejtuesit, por edhe dashamirësit e futbollit. Pas Partizanit dhe Dinamos është Tirana që nuk ndodhet në një moment aspak të mirë, pavarësisht se në renditje ndodhet në vendin e 4. Ndryshimet e tre trajnerëve, cilësia e futbollistëve dhe mënyra e menaxhimit këtë edicion kanë lënë një shije të hidhur te të gjithë, mes të cilëve është edhe Shkëlqim Muça, i cili është një nga personat që e njeh më mirë se askush ekipin bardheblu.

Z. Muça çfarë mendoni për ecurinë e ekipit të Tiranës këtë edicion?

Dy edicionet e fundit që përkojnë me largimin e donatorëve dhe kalimin e ekipit në varësi totale te bashkia kanë rezultuar dështim. Ekipi është çorientuar plotësisht në të gjitha aspektet. Nuk e kuptoj më se çfarë po bëhet me Tiranën, ekipin që është shpallur 24 herë kampion i vendit.

Cilat janë arsyet që ju shtyjnë në këtë konkluzion?

Kjo situatë është rrjedhojë e marrjes së vendimeve vetëm nga një person, pasi pjesa tjetër e stafit drejtues, apo bordit nuk pyetet për asgjë. Gjatë fushatës së 2011, kreu aktual i bashkisë, Lulzim Basha premtoi që ekipin do ta privatizonte dhe për cdo vendim do të konsultohej me Memën, Fortuzin dhe Alimehmetin, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.

Përse nuk është realizuar privatizimi i ekipit sipas mendimit tuaj?

Premtimi nuk është mbajtur, pasi ekipi i futbollit të Tiranës po përdoret politikisht duke u kthyer në një strehë militantësh të paaftë që janë punësuar për qëllime politike. Organika ka pësuar rritje të numrit të të punësuarve pa kriter. Tirana sot ka drejtues që marrin vendime pa pyetur askënd, por që janë të panjohur për botën e futbollit.

Por pavarësisht deklaratave tuaja, ekipi vazhdon rrugën e nisur..

Po është e vërtetë që vazhdon të shkojë në një rrugë pa krye që nuk ka të ardhme, përkundrazi po rrënohet cdo ditë. Personalisht jam i habitur me faktin që shteti vazhdon të njoh këtë ekip që në fund të edicionit del me humbje kolosale. Tirana sot derdh në arkat e ekipit vetëm paratë e biletave të tifozëve që më vjen keq që e kanë braktisur.

Çfarë duhet të bëhet sipas jush për të shpëtuar ekipin e Tiranës?

Bashkia duhet privatizojë sa më shpejt, për të mirën e klubit, por edhe për të shpëtuar paratë publike, pasi drejtuesit e kanë privatizuar politikisht dhe askush nuk kërkon llogari për paratë e taksapaguesve të qytetit të Tiranës. Cdo vit dëgjojmë shifra 500-600 milionë leke që derdhen në arkat e ekipit dhe që përfundojnë në duart e militantëve, ndërkohë që ekipi shkon drejt rrënimit dhe askush nuk pyet se kujt ia janë ato lekë që hidhen pa asnjë kriter.


Bashkia ka deklaruar se nuk ka oferta për të privatizuar ekipin e futbollit..


Jo, unë nuk mendoj kështu. Bashkia le të realizojë procedurat e privatizimit dhe më pas të shikojmë nëse ka ose jo të interesuar për të blerë aksionet dhe jo ta mbajë në këmbë me paratë e popullit dhe financuesve anonimë. Një shembull i qartë është Vllaznia, e cila pas privatizimit po arrin rezultate konkrete.

Si i komentoni lëvizjet e trajnerëve dhe merkaton?

Trajnerët janë vendosur dhe larguar sipas dëshirave të drejtuesve të ekipit, pa pyetur askënd. Nevilit i uroj suksese, por nuk mendoj që Tiranës i ka ardhur e keqja nga trajnerët, por nga drejtuesit. Sa për merkaton, mendoj që ka qenë e dështuar, pasi janë afruar futbollistë që në Shqipëri kanë treguar që nuk vlejnë.

A mendoni të rikthejeni përsëri një ditë te Tirana?


Dëshira ekziston, por kurrë me këtë sistem drejtues, nëse ekipi do të privatizohet dhe do të më bëhet një ofertë sigurisht që do të kontribuoja.





Dylber Balla