Edmond Koseni u bë i famshëm dhe tepër i njohur si një nga drejtuesit më aktivë të policisë shqiptare gjatë periudhës kur vendi ynë u përfshi nga trazirat e vitit 1997 e më tej.

Nëse kishte një qytet që kishte dalë nga kontrolli, ku krimi ritej dita-ditës nëpër lagje, Policia e Shtetit zgjidhte të emëronte në krye të policisë së qytetit, Edmond Kosenin.

Emri i Kosenit u theksua më shumë në kohën që ai u shpalli luftë të jashtëzakonshme, bandave të armatosura dhe sidomos atyre të Shqipërisë së Mesme, që në atë kohë konsideroheshin të paprekshëm.

Në Elbasan dhe në Lushnjë, ku Koseni drejtoi policinë, ai organizoi një sërë operacionesh policore, madje besohet se në një nga këto operacione në Lushnjë ai ka mbetur i plagosur. Me dorë të hekurt ai drejtoi policinë e Elbasanit, ku bandat kishin djegur drejtorinë dhe komisariatet e këtij qarku.

Koseni, mundi të verë në binarë këtë drejtori policore dhe të guxojë më pas ti dalë ballë për ballë, bandave kriminale që vepronin për hesap të tyre në lagjet e qytetit. Madje, Koseni për herë të parë realizoi shkatërimin publikisht të heroinës dhe kokainës që kishte kapur, duke e hedhur atë nga ura e Shkumbinit.

Mirëpo karriera e Kosenit në polici, mer një goditje të rëndë në vitin 2001. Ai u pezullua nga radhët e policisë, pasi ndaj tij u renditën një sërë akuzash të kryera gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues policie. Në vitin 2012, pas 11 vitesh betejë për drejtësi me shtetin shqiptar, Edmond Koseni u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Redakisa Online
Al.N/Shqiptarja.com