Pas një sërë thirrjesh për të dhënë llogari mbi shkarkimet masive të pretenduara nga Televizioni Publik Shqiptar, drejtori i RTSH Alfred Peza foli për herë të parë në Komisionin e Medias.

Termi largime masive për të është “fake neës”, ndërsa thotë se shkarkimet kanë ardhur për shkak të fenomenit të vegjetimit prej vitesh, pa produkt pune të disa punonjësve.

 “Ju keni pushuar njerëz nga puna në kundërshtim flagrantë me ligjin”, u shpreh Ina Zhupa.

Por Peza renditi arsyet e largimit.

“21 punonjës kanë dal në pension gjatë kësaj periudhe, të dorëhequr 89, të larguar me procedurë 44, dhe që kanë braktisur vendin e punës rreth 12, pra në total 166. Pra kemi gjetur persona që kishin 23 vite pa ardhur asnjëherë në punë dhe zyra e tyre ishte kthyer në zyrë kafaz për pëllumbat e lagjes. Kemi gjetur në institucion prej 20 vitesh në punë pa ardhur asnjë ditë, 18 vite pa asnjë produkt gazetarët, nga ana tjetër, paguheshin punonjës që jetonin jashtë e punonin jashtë”, listoi Peza.

Ashpër, me deputeten Ina Zhupa, u përplas edhe për pasojat financiare të shkarkimeve. Përballë proceseve gjyqësore që punonjësit e shkarkuar kanë hapur, Alfred Peza tha se RTSH nuk ka humbur asnjë para.

 “Gjatë 1 viti RTSH nga këto pushime të padrejta nga puna i ka dhënë një kosto buxhetit të shtetit. Janë të paktën 46 procese gjyqësore që janë të pranuara nga gjykata”, tha Zhupa.

 “Asnjë proces nuk ka përfunduar dhe nuk ka vendime të formës së prerë. Buxhetit të shtetit dhe RTSH i kanë kushtuar për 34 vite shumë herë më tepër ata punonjës që nuk vinin fare në punë”, u përgjigj Peza.

“I kam thënë mos pusho njerëz nga puna, kushtojnë se do fitojnë gjyqe, ti them unë dy emra që kanë fituar njëri 30 milionë”, tha leka Bungo.

Në dëgjesën me deputetët për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Peza mohoi edhe dorëheqjen e përfolur disa muaj më parë nga drejtimi i RTSH.