Situata e nivelit të ujërave në Shkodër paraqitet me një tendencë të lehtë drejt uljes.

Oboti vijon të jetë nën ujë kryesisht në sipërfaqe tokash bujqësore me tendencë rënieje. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet nivel uji rreth 40–45 cm (të martën arriti në 50 centimetra). Në zonë janë vendosur në gatishmëri mjete të kalueshmërisë së lartë të cilët do të ndërhyjnë sipas nevojave. Deri në këto momente nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është regjistruar në kuotën 7.90 m, ndërsa niveli i lumit Drin është në kuotën 7.70 m, me tendencë rënieje krahasuar me orët e mëparshme.

Nuk raportohen problematika në funksionimin e kanaleve kulluese, argjinaturave mbrojtëse dhe digës së rezervuarit të Shtodrit.

Në aksin Bogë – Theth, reshjet kanë pushuar dhe rruga është pastruar dhe zgjeruar deri në zonën e Qafë Thore, pranë tunelit të parë. Mjetet dhe specialistët janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast nevoje.

Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, Bashkisë Malësi e Madhe, Bashkisë Pukë dhe Bashkisë Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:19
Reshjet e dëborës nuk pengojnë qarkullimin e mjeteve, ARRSH këshillon qytetarët: Pajisuni me goma dimërore e zinxhirë (VIDEO)

Reshjet e dëborës në veri e juglindje të vendit nuk kanë paraqitur problematika të deritanishme. Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka pasur reshje vetëm në akset: Kukës-Krumë, Kukës-Shishtavec, K/Boboshticë-Dardhë.

Ndërkohë ka vijuar pastrimi i rrugëve nga dëbora dhe kriposja e tyre.

“Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.