Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar artikull shkarkimit të Belinda Ballukut nga funksionet si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në artikull shkruhet se “Balluku u shkarkua, ndërsa ajo përballet me akuzat për abuzime me tenderat publik”, ndërsa theksohet se këto akuza kanë nxitur edhe protestat e opozitës.
“Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars nëse do të heqë imunitetin e saj, gjë që do t'i lejonte SPAK-ut ta arrestojë atë. Shqipëria, e cila dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, përballet me presion nga blloku për të luftuar korrupsionin.
Balluku, e cila mbante postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.
Rama, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013, i qëndroi asaj pranë për muaj të tërë dhe nuk dha një arsye për shkarkimin e saj të enjten në një riorganizim të shtatë roleve në administratën e tij të Partisë Socialiste, përfshirë ministrin e mbrojtjes dhe atë të jashtëm.
‘Kryeministri ka sqaruar që nga fillimi i këtij mandati se riorganizimet mund të jenë më të shpeshta, ndërsa gati katër muajt e fundit ai e ka refuzuar tri herë dorëheqjen e znj. Balluku’, tha zëdhënësja e qeverisë, Manjola Hasa, për Reuters në një deklaratë me email.
Balluku është parë si një yll në ngritje, e cila u favorizua nga Rama si një pasardhëse e mundshme. Që nga ngritja e aktakuzës ndaj saj, partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike, ka mbajtur protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ramës, qeveria e të cilit është goditur nga disa skandale korrupsioni gjatë vitit të kaluar.
Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, dhe policë e demonstrues janë plagosur.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë thënë Reuters se po shqyrtojnë nga afër mënyrën se si Rama i ka trajtuar rastet e korrupsionit dhe se lufta e vendit kundër krimit dhe korrupsionit është kritike për përpjekjen e vendit ballkanik për t'u bashkuar me bllokun deri në vitin 2030”, mbyll artikullin Reuters.
Shkarkimi i Ballukut u shoqërua dhe me të tjera ndryshime në kabinetin qeveritar. Vendin e saj si zv/kryeministre e mori Albana Koçiu ndërsa në krye të ministrisë së Brendshme tashmë do të shohim Besfort Lamallarin. Ky i fundit ndërroi digaster vetëm 5 muaj pas emërimit si ministër i Drejtësisë që tashmë do të drejtohet nga Toni Gogu.
Ky i fundit u emërua këtë mandat ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministri që tashmë i është besuar Eriona Ismailit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tashmë do të drejtohet nga Enea Karakaçi ndërsa Ferit Hoxha do të jetë ministër i Jashtëm. Pa një tjetër emërim mbetën Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu.
Komente










