Me një vendim qarkullues të Këshillit të Ministrave, Ilir Proda u lirua nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit të hënën, pas dorëheqjes së tij të firmosur mesditën e së dielës. Vendimi u botua menjëherë në Fletoren Zyrtare, çka nënkuptoi se rruga për zgjedhjen e pasuesit ishte tashmë e lirë.

Ministria e Brendshme nuk vonoi, dhe mëngjesin e së martës hapi thirrjen e aplikimeve për të qenë pjesë e garës, të atyre që e shohin veten të denjë dhe të gatshëm për të shërbyer si drejtues madhor në Policinë e Shtetit, deri në datën 11 mars.

Kriteret e aplikantëve janë përcaktuar me udhëzim, por që bazohen në ligjin e Policisë së Shtetit. Më kryesorja është grada, ku përfshihen “drejtues”, “drejtues i parë” dhe “drejtues i lartë”. Një pikë e rëndësishme janë edhe masat disiplinore. Aplikanti për drejtor të përgjithshëm nuk duhet të ketë masë në 5 vitet e fundit, ulje të përkohshme të pagës deri në masën 40% për një periudhë jo më të gjatë se 1 vit, shtyrje e afatit të gradimit deri në 5 vjet dhe ulje me një gradë për një periudhë po deri në 5 vjet.

Kjo pikë parashikohet t’u vështirësojë aplikimin disa drejtuesve që javët e fundit janë ndëshkuar, si rasti i kryepolici i Lezhës i cili u ul në gradë pas një hetimi të AMP. Mbetet e paqartë nëse do të mund të jenë pjesë e garës, duke pasur parasysh se vendimet janë ankimuar në proces gjyqësor.

Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve. Brenda 10 ditëve të tjera pune, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër i Brendshëm, dhe 2 anëtarët, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore. Në fund të këtij procesi, harton listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet.

Faza e radhës është ajo e intervistimit, ku shpaloset platforma e secilit me nga 20 minuta në dispozicion. Pas përfundimit, ky komision ka afat 48 orë për të nxjerrë rezultatet me pikëzimin. Jo domosdoshmërisht i pari i renditur bëhet drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ligji thotë që njeri prej kandidatëve të pikëzuar, i konsideruar më i përshtatshëm për detyrën, t’i propozohet nga ministri i Brendshëm, Këshillit të Ministrave për emërimin e tij.

Emrat më të përfolur për të qenë pjesë e garës për kreun e Policisë së Shtetit janë disa, përfshirë drejtues aktual qarqesh dhe jo vetëm, ndër to Elidon Çela i Vlorës, Skënder Hitaj i Fierit, apo Ardian Çipa dhe Altin Mena. Ligji i Policisë së Shtetit thotë se mandati i kryepolicit është 5 vjet me të drejtë rikandidimi për mandat të dytë, megjithatë, askush nuk e ka përfunduar në detyrë qoftë edhe mandatin e parë.

Ligji ka një kleçkë të çuditshme, pasi një drejtor të përgjithshëm policie nuk e kthen më në shërbim, pasi grada “drejtues madhor” nuk mund të ulet. Kjo do të thotë se drejtues me eksperiencë dhe karrierë të mirë në polici, janë të detyruar të lënë karrierën në mes, në moshë të re.