Ndërsa në Komisionin Hetimor është duke u lexuar raporti përfundimtar për shkarkimin e Ilir Metës nga roli i tij si President dhe më pas t'i dorëzohet Parlamentit, aktivistja Brizida Gjikondi e cilësoi këtë si një hap të vonuar por të domosdoshëm si një mesazh të qartë në të ardhmen për këdo që mund të sillet në mënyrë të papërgjegjshme si ai. Në një intervistë për Report Tv, Gjikondi tha se si Ilir Meta si Sali Berisha janë ripërsëritës të mëkateve të tyre dhe kjo ka ndodhur pasi ata nuk janë dënuar dhe ndëshkuar për krimet dhe korrupsionet e bëra. Gjikondi tha se SPAK duhet të hetojë krimin e organizuar të Metës dhe Berishës për 21 janarin.
"21 janari u bë për aferat e Ilir Metës. SPAK të hetojë krimin e organizuar të Metës dhe Berishës për 21 janarin. Ilir Meta është ripërsëritës i mëkateve dhe gjynaheve të vetes së tij si me korrupsionin si me të folurin dhe njerëzit e pandëshkuar bëhen ripërsëritës si për Ilir Metën dhe Sali Berishën. Ky është komisioni i dytë i ngritur kundër tij. Parlamenti është i vonuar për të shkarkuar Metën, ky është komisioni i dytë, komisioni i parë e anuluan e nisën me bujë dhe më pas e përfunduan me heshtje. Mendoj se kjo radhë është ë vërteta", tha Gjikondi.
Ngritjen e komisionit të dytë për shkarkimin e Metës për Gjikondin këtë herë ka sjellë dhe vendosmërinë e socialistëve pasi ky rrugëtim është në harmoni edhe me ndërkombëtarët.
"E shikoj si vullnet të ndërkombëtarëve për t'i shkuar këtij komisioni deri në fund. Është harmonia e mazhorancës me ndërkombëtarët në këtë rrugëtim që po bëjnë ndaj presidentit. Nuk është i turpshëm por i nevojshëm për të qenë si një mesazh për çdo president të papërgjegjshëm që do të vijë më pas", tha Gjikondi.