Shkarkimi i Metës, mblidhet Komisioni i Ligjeve! Hysi: Presidenti ka bërë thirrje për dhunë! Meta refuzon pjesëmarrjen! Nesër seanca e radhës (VIDEO)

Pas propozimit të 49 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkim të Presidentit Meta është mbledhur sot Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Komisioni mori në shqyrtim kërkesën dhe mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor.

Në mbledhje ka folur edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila ka bërë një parashtrim të fakteve që sipas saj vërtetojnë shkeljen e rëndë që Meta i ka bërë Kushtetutës.

"Presidenti i Republikës është simboli i unitetit të kombit, ai nuk duhet të shkaktojë konflikte apo të përçajë kombin. Atij nuk i lejohet të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht në Kushtetutë apo që i jepen me ligj. Presidenti i Republikës ka cenuar qoftë nenin 92 dhe atë 94 të Kushtetutës. Këto përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto sjellje kanë sjellë ndasi sociale dhe politike. Presidenti ka mbajtur hapur një anë politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Ai në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për dhune", tha Hysi, e cila nënvizoi gjithashtu se grupi i firmëtarëve vlerëson se këto akte janë në kundërshtim me kornizën ligjore dhe etike.

Sipas saj në të gjitha daljet politike Presidenti ka mbajtur qëndrim tërësisht të njëanshëm politik në favor të opozitës. Relatorja e kërkesës së deputetëve për shkarkimin e Metës, Klotilda Bushka tha sot në Komisionin e Ligjeve se nisma është legjitime

Anëtarët e Komisionit vendosën se mbledhja e radhës të zhvillohet ditën e nesërme në orën 11:00, edhe pse Meta kërkoi datën 10 maj. Kryetari i Komisionit Ulsi Manja tha se Kuvendi do ta njoftojë edhe elektronikisht, edhe me letër për këtë mbledhje. Sipas Manjës Diskutimi  dhe përmbledhja e raportit do të bëhet në mbledhjen e radhës pas dëgjimit edhe të Presidentit të Republikës.

Presidenti Ilir Meta përmes një letre e ka njoftuar sot Kuvendin e Shqipërisë se ai ka marrë një njoftim për mbledhje por qëe nuk i është dhënë asnjë sqarim se përse po thirret. Meta thotë se është gati të vijë në datë 10 maj, e cila përkon dhe me 'Ditën Kombëtare të Drejtësisë'. 

Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve përgatit një raport dhe vendimin nëse do të ngrihet apo Komisioni Hetimor i takon Kuvendit të Shqipërisë.  Ndërsa hetimin e natyrës së shkeljeve të Presidentit të Republikës, pra janë të rënda apo jo, do të jetë Komisioni Hetimor që e vendos diçka të tilla.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Klotilda Bushka: Kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Metës është legjitime (VIDEO)

Relatorja e kërkesës së deputetëve për shkarkimin e Metës, Klotilda Bushka tha sot në Komisionin e Ligjeve se nisma është legjitime

"Nga ajo që është paraqitur nga kolegët deputetë, rezulton se kërkesa është paraqitur në bazë të Kushtetutës që parashikon qartë se kërkesa për shkarkimin e Presidentit mund të bëhet për dy shkaqe, një shkelja proceduriale, dhe një krim. Kërkesa është duke arsyetuar se Meta ka bërë shkelje të rënda kushtetuese. Kërkesa është paraqitur nga kuorumi i nevojshëm. Bëhet fjalë për më shumë se sa kërkon Kushtetuta. 49 kolegë deputetë që kanë shprehur vullnetin e tyre. Ndërkohë që kuorumi që kërkohet është më i vogël. Është plotësuar kjo kërkesë. Sipas kërkesës, Presidenti në kundërshtim me detyrimet kushtetuese, denigrojnë reputacionin. Këtu nuk është vënë theksi vetëm tek deklaratat e Presidentit që kanë cënuar aftësinë politike, dhe pariomin e unitetit të popullit, por me këto deklarata është denigruar edhe vetë Presidenti, pavarësisht kush e mban figurën. Sipas deputetëve, ka shkelur deytrimet kushtetuese, që burojnë nga neni 83, nga betimi, që ka brenda formulës detyrime kushtetuese që Presidenti duhet t’i qëndrojë besnik. Sjelljet dhe aktet vijojnë më tej, janë në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës, neni 82, 89, 94. Legjitimon shkarkimin nga detyra të Presidentit. Kjo ka qenë me pak fjalë kush kanë qenë kërkesat. Nga shqyrtimi i akteve në vlerësim, unë si relatorë kemi arritur në konkluzionin është në përputhje me Kushtetutën, dhe rregulloren e Kuvendit, kurse nga pikëpamja substanciale legjitimohet shkarkimi i Presidentit. Bëhet fjalë për shkelje të rënda kushtetuese. Në gjykimin tim, janë të tilla që i japin udhë shkarkimit të Presidentit. Jam e hapur për pyetje e për sugjerime, dhe për të konkluduar më tej.’’- tha Bushka.

Ora 12:05
Komisioni i Ligjeve e njoftoi për nismën për shkarkim, Meta: Nuk ka asnjë sqarim! Takohemi me 10 maj, 'Ditën Kombëtare të Drejtësisë'

TIRANË- Presidenti Ilir Meta duhet të ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve që është zhvilluar ditën e sotme për nismën për shkarkimin e tij, por ai e ka refuzuar këtë ftesë duke listuar një sërë arsyesh. Në përgjigjen e tij 13 faqe, Meta ka thënë se nuk i është dhënë asnjë sqarim se përse po thirret dhe letrën e tij duke thënë se është gati të vijë në datë 10 maj, e cila përkon dhe me 'Ditën Kombëtare të Drejtësisë'. Nisur nga fakti që mazhoranca ka planifikuar shkarkimin e tij me këtë Kuvend me argumentin se ka shkelur Kushtetutën, Meta ka hedhur akuza të njëpasnjëshme për këtë parlament që e quan "një partiak dhe në shërbim të pushtetit". 

Sipas kreut të Shtetit, Kuvendi prej dy vitesh po përpiqet që të godasë Presidencën, por mes akuzave dhe kritikave që ka për të, u bën thirrje që të mos merren me kreun e shtetit, por të hetojnë Krimet Zgjedhore. Këtu Meta ka sjellë në vëmendje vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, plagosjen e sekretarit të PD në Kavajë, Bledar Okshtuni në zyrën e tij elektorale, përplasjen mes simpatizantëve të PD-PS në ditën e Verës, mosveprimet e Prokurorisë për këto ngjarje si edhe për pretendimin e tij se i kanë hackeruar numrin e celularin duke iu dërguar qytetarëve mesazhe fyese në emër të Presidentit.

"E gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet. Por gjithsesi, nëse ju mendoni se jeni të aftë, jeni në kohë dhe keni ndonjë grimcë legjitimiteti, dhe dëshironi të zbardhni vërtet krimet zgjedhore, që disa prej jush aty brenda në Kuvend kanë konsumuar, apo për të hetuar se përse autorët e krimeve zgjedhore nuk u dërguan përpara drejtësisë, atëherë i bëjmë me dije Kuvendit se, mund ta filloni këtë proces me mbledhjen dhe vlerësimin e disa fakteve ulëritëse", shkruan Meta. 

Në ndryshim nga 49 deputetët që hodhën firmën për të inicuar shkarkimin e tij që thanë se me deklaratat e tij, Meta krijoi ndasi sociale e politike dhe nxiti daljen e militantëve në rrugë që terrorizonin qytetarët, kreu i shtetit ka një tjetër mendim.

"Presidenti i Republikës, për çdo rast, fenonem apo ngjarje që tregonte për rritje të konfliktit ka mbajtur qëndrime të prera, të menjëhershme, me qëllim normalizimin e situatës, dhe realizimin e një procesi zgjedhor sa më të qetë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë", shkruan Meta.

E nisur nga kjo, duke qenë se i ka vënë përpara Kuvendit në sërë detyrash, ai thotë se është i lë kohë Kuvendit deri më 10 maj, edhe ditë që përkon me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare.

"Sa më sipër, dhe duke mbajtur në konsideratë volumin e informacionit që duhet diskutuar, Presidenti i Republikës, mbetet në pritje të reflektimit dhe përgjigjes suaj për sa më sipër, dhe është i gatshëm për t`u takuar, diskutuar e për tu shprehur me Komisionin e Ligjeve edhe pse virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-ËEBEX, në datën 10 maj 2021, datë kjo që përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare", përfundon shkresa.

( Kliko këtu ) Përgjigjia e plotë e presidentit Ilir Meta për Komisionin e ligjeve

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mira: 05/05/2021 17:15

    Do mare nje certificat mjeku. Jane mesu keta me hilete e drejtesise. Por jepini dhe goditjen e fundit te merituar ketij palaco duke ardhur ose jo para komisionit te ligjeve. Ngaqe u fal njehere mori kurajo te papare ne veprimet e tij. Te marin fund keto sjellje rrugacerie nga kreu i shtetit qe i tregon me paturpesi raketat ruse Natos dhe Amerikes.

    Përgjigju
  • roza: 05/05/2021 16:15

    Pse ka nevojë ta dëgjoni? Qepni të gjithë filmimet para dhe gjatë zgjedhjeve, bëjini një film pa koment dhe e merr vetë shkarkimin, ai i korruptuari, përcarës i popullit nuk meriton të mbajë vendin e presidentit, nuk përfaqson Shqipërinë si president, por njeriun e ulët që shfrytëzoi paratë e presidencës për interesat e tij personale. Dhe mos harroni, një njeri u vra nga thirrjet e tij, ai nuk duhet të rrijë më në atë karrike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion