TIRANE - Vendimi i një dite më parë nga Ministria e Arsimit për shkarkimin e drejtoreshës së shkollës ‘Dhora Leka’ ka marrë sot formë zyrtare.
Në tryezën e drejtoreshës Mira Brahimi kanë ardhur sot 4 zarfe nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë që urdhëronin shkarkimin e drejtoreshës Mira Brahimi, por jo vetëm; në listë janë edhe nëndrejtoresha Gentiana Hoxhallari dhe 2 pastrueset e shkollës që u penalizuan për mungesë të kushteve higjieno-sanitare.

Drejtoresha dhe nëndrejtoresha e shkolllës Dhora Leka janë akuzuar nga pesë mësues të shkollës për mosrespektim të etikës në punë si dhe korrupsion pasi kanë shitur libra jashtëshkollorë për nxënësit.

Por skandali i shkollës 9-vjeçare duket se është më i thellë se kaq. Mësohet se drejtuesja e shkollës ka patur një konfikt të hershëm me të paktën 5 mësues që janë ankuar në portalin e sapolançuar online stopkorrupsionit.

Një ditë pas prezantimit të portalit online për denoncimin e korrupsionit pesë mësues të shkollës Dhora Leka kanë denoncuar drejtoreshën dhe nëndrejtoreshën dhe një ditë pas denoncimit Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka marrë masat për zgjidhjen e këtij rasti.

vendimi nga puna
 ( Në foto: Vendimi për shkarkimin e drejtuesve të shkollës)

Grupi i inspektimit i gjen jashtë shkollës "Ishim në internet kafe"
 
Pas marrjes së denoncimit nga ana e mësuesve MAS ka nisur një grup inspektimi që të verifikonte rastin. Kur ministrja ka shkuar në shkollën 9-vjeçare bashkë me grupin e inspektimit, drejtoresha e shkollës dhe nëndrejtoresha nuk kanë qënë prezente në shkollë pavarësisht se ishin në orarin e punës. Grupi i inspektimit i ka gjetur të dyja drejtueset e shkollës në një kafe por të dyja e kanë justifikuar faktin që ishin jashtë shkollës me pretekstin se ndodheshin në një internet-kafe. Sipas drejtoreshës dhe nëndrejtoreshës së shkollës ato ishin larguar nga shkolla për të shkuar në një internet kafe për të shkarkuar materiale që i duheshin për shkollën si dhe duhej të komunikonin nëpërmjet emailit me DAR-in dhe MAS.
 
Në shkollën Dhora Leka pjesë e stafit janë 15 mësues, nëndrejtoresha dhe drejtoresha. Ndërkohë që pjesë e denoncimit dhe ankimit për drejtoreshën dhe nëndrejtoreshën kanë qënë pesë mësues të cilët e kanë bërë publike akuzën e tyre.

Nxënësit akuza për korrupsion dhe mosrespektim oraresh

Edhe nxënësit e kësaj shkolle të pyetur nga A1report janë shprehur se kanë një sërë ankesash për drejtoreshën dhe nëndrejtoreshën e shkollës. Nxënësit i kanë akuzuar drejtoreshën dhe nëndrejtoreshën se ato nuk respektonin asnjëherë oraret e mësimit pasi vinin në klasë në gjysëm të orës së mësimit dhe përveç kësaj i vendosnin këtyre të fundit nota të ulëta. Të pyetur nëse ishin pro apo kundër largimit të drejtoreshës dhe të nëndrejtoreshës nga shkolla, nxënësit janë shprehur se ata duan që të dyja të largohen nga shkolla. Në vitin 2013 nxënësit thonë se drejtoresha e shkollës në bashkëpunim me ish-nëndrejtoreshën që ishte edhe mësuese e gjuhës shqipe i kanë shhitur nxënësve një libër jashtëshkollor që kushtonte 3 mijë lekë të vjetra por që sipas nxënësve dhe mësuesve ky libër nuk i ka shërbyer askujt dhe ata nuk e kanë përdorur asnjëherë librin e blerë për mësim.
 
Mësuesi denoncon drejtoreshën, merr kërcënime në celular
 
Kristaq Viso një nga mësuesit që ka bërë denoncimin shprehet se edhe ai ashtu sikurse nxënësit dhe kolegët e tij të tjerë ka ankesa për drejtoreshën dhe nëndrejtoreshën e shkollës. Sipas Visos akuza kryesore që duhet të ngrihet mbi dy drejtueset e shkollës është ajo e ushtrimit të korrupsionit pasi drejtoresha në bashkëpunim me ish-nëndrejtoreshën u kanë shitur nxënësve një libër që kushtonte 3 mijë lekë të vjetra dhe që ata nuk e kanë përdorur asnjëherë. Po ashtu Vaso thotë se pas reagimeve të tij kundër drejtoreshës dy persona e kanë kërcënuar atë se nuk duhet të flasë dhe se nëse vazhdon me denoncimin kundër drejtoreshës atëherë duhet të bëjë kujdes dhe të ruajë familjen.

Ne kërkuam të merrnim edhe një prononcim edhe nga pala tjetër, drejtoresha Brahimi, e cila nën tension tha se do të ndjekë rrugën ligjore për ‘të drejtën e saj’, ndërsa nëndrejtoresha Gentiana Hoxhallari tha se akuzat e mësuesit janë të pabaza dhe ai i bën këto akuza pasi është i përfshirë në politikë dhe kjo është çështje politike. Hoxhallari tha se në zgjedhjet e qershorit të 2013 Kristaq Vito ishte kandidat i koalicionit të Rilindjes Demokratike për dhe për fushatën e tij ka përdorur nxënësit e shkollës. Sipas Hoxhollarit, Viso u kishte shpërndarë nxënësve të shkollës një uniformë e cila ishte një bluzë në të cilën ishte e stampuar fotoja e Visos dhe logoja e Partisë Demokratike.

mesazhet kercenuese
(Në foto: Mesazhet kërcenuese ndaj një nga mësuesit denoncues)

Pushohen dy pastrueset, nuk bënin punën e tyre

Edhe dy pastruese të kësaj shkolle janë pushuar pasi është konstatuar se ato nuk e bënin punën e tyre. Kamera e A1report ka fiksuar kushtet e higjenës në të cilën ndodhet kjo shkollë dhe nga pamjet është e dukshme që papastërtitë kanë mbuluar ambientet e shkollës.

Redaksia online 
(f.m/shqiptarja.com)