Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës,. Edison Ademit.

Trupa gjykuese e përbëre nga kryesuesja Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Fierdes Shuli pas dëgjimit të drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës në seancën e 5 prillit, mori vendimin e shkarkimit të tij nga detyra, duke u bazuar në hetimin për kriterin e pasurisë dhe aftësive profesionale.

Në përfundim të seancës, prokuroria ka bërë replika me trupi gjykues, duke u shprehur: "Kjo nuk mbaron këtu, do përballemi sërish bashkë. Po nuk të futa në burg, mbaje mend". Kështu u shpreh drejtuesi i prokurorisë, duke ju drejtuar trupës gjykuese, por pa deklaruar ndonjë emër të përveçëm.

Më herët, në seancën dëgjimore, KPK, zbuloi se prokurori ka shkelur etikën dhe është shoqëruar me persona që kanë qenë në hetim për armëmbajtje pa leje dhe trafik të drogës.

Sipas rezultateve të vettingut, Edison Ademi kishte folur në telefon me E.M që e kishte hetuar për armëmbajtje si dhe kishte udhëtuar drejt Kosovës në 2014 me automjetin e një të hetuari për trafik droge. Po ashtu vettingu i kishte gjetur Ademit edhe probleme me pasurinë paçka se sipas raportit të ILDKPI-s ai kishte burime për t'i justifikuar por i kishte fshehur dhe kishte bërë deklarime të pasakta ndër vite.

Në seancën e 5 prillit, Edison Ademi kërkoi rihetim nga KPK por kjo kërkesë u refuzua.  Në një reagim të tij publik ditën e djeshme, drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi, tha se gjetjet e anëtarëve të KPK, bazohen mbi trillime dhe sajesa dashakeqase.

Shkarkohet edhe kreu i Apelit për Krimet e Rënda, Femi Petku

Po sot, rrjeta e vettingut ka shkarkuar nga detyra edhe kreun e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Femi Petku.

Sipas raportit të ILDKPKI-së, kreu i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda kishte mungesë të burimeve të ligjshme, deklarim të rremë, fshehje pasurie për ¼ për tre troje e dy banesa.

Sipas verifikimeve të kryera, familja Petku kishte kryer dhe një transaksion në vitin 1996 prej 520 mijë dollarë me firmën piramidale Vefa.

Vete gjyqtari  argumentoi se familja e tij kishte punuar në miniera dhe kishin të ardhura të larta që i kishin shërbyer si burim për krijimin e pasurive pas viteve 1990.

Petku është pjesë e gjyqtarëve që po shqyrtojnë dosjen Shullazi, ndërsa për 4 vite ka drejtuar Gjykatën e Apelit për Krime te Rënda ku ka qenë edhe pjese e shqyrtimit të disa dosjeve te rëndësishme.