Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar sot shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Petrit Aliajn. Shkarkimi Aliajt vjen pas një beteje të gjatë të Komisionit të Vetingut, pasi gjyqtari paraqiti 4 raporte mjekësore sikur ishte sëmur. Gjyqtari Aliaj nuk u paraqit as në seancë dëgjimore duke pretenduar se ishte sëmurë, por Vetingu zbuloi se gjyqtari gënjente me raportet. Megjithatë, që nga nesër Petrit Aliaj nuk mund të futet më në gjykatë si gjyqtar. Ai ka të drejtë t’i drejtohet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili është organi fundor që vendos për lënien në fuqi ose rrëzimin e një vendimi të shkallës së parë të Vetingut.

Gjatë leximit të gjetjeve nga verifikimi i pasurisë, përpos të tjerave, KPK ka zbuluar edhe një pallat në emrin e babait të gjyqtarit. Komisioni ka arritur në konkluzionin se babai i gjyqtarit Petrit Aliaj nuk e justifikonte pallatin me burime të ligjshme të ardhurash. Komisioni i Vetingut prezantoi si problematike pasuri të tjera të gjyqtarit Aliaj si një truall në Delvinë, mos justifikim të shumës rreth 70 mijë euro për ndërtimin e një ndërtese tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, probleme me pasurinë e bashkëshortes dhe mosjustifikim të shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve.

Petrit Aliaj është shkarkuar edhe në vitin 2004 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por Gjykata e Lartë e riktheu në detyrë dy vjet më vonë. Në vitin 2005 ai është paguar me 47 mijë dollarë nga vëllezërit Balili, si konsulent ligjor i tyre. Por, Komisioni i Vetingut nuk ia ka konsideruar të ligjshme këto para. Në vitin 2015, ILDKPKI e kallëzoi gjyqtarin Aliaj për fshehje pasurie, por nuk i hyri ‘gjemb në këmbë’, ndërsa edhe KLD-ja refuzoi ta shkarkonte. Petrit Aliaj ka marrë pjesë edhe në procesin e heqjes së burgimit të përjetshëm Dritan Dajtit, ku ishte anëtar i trupit gjykues.