KRETE - Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg pritet të marrë në shqyrtim çështjen e armëve kimike siriane të cilat do të shkatërrohen në Mesdhe.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke sipas të cilave, janë autoritetet e Kretës të cilët kanë vendosur të ankimojnë këtë çështje, ku sipas tyre, shkatërrimi i substancave nga procesi hidrolizës në det do të shkaktojë probleme serioze shëndetësore tek njerëzit dhe do të ketë një ndikim negativ në mjedis.

Kryetari i Qendrës Punës në Iraklis, Sokratis Vardakis, duke folur për mediat greke tha se arsyeja pse organizatat dhe institucionet do të çijnë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut këtë çështje është fakti se qeveria nuk pranon të kuptojë se shkatërrimi i armëve kimike në det paraqet shumë rreziqe për qytetarët dhe mjedisin.

"Edhe pas një lufte gjashtë mujore qeveria greke nuk u arrit të bindet se shkatërrimi i armëve kimike siriane nuk duhet të bëhet në Mesdhe, ose në ndonjë det tjetër, por në tokë. Procesi i hidrolizës nuk është i sigurtë. Ne do të apelojmë këtë çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa përgatiten protesta të tjera." vuri në dukje zyrtari lokal Vardakis

Nga ana e tjetër, përfaqësuesi i Shoqatës Mjekësore të Iraklis, Dimitris Petrakis, në deklaratat për mediat greke u shpreh se në bazë të të dhënave të studimeve të bëra tha se efektet e kimikateve për shëndetin janë shkatërruese.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se "ky eksperiment, jo vetëm rrezikon shëndetin e njerëzve dhe mjedisin por gjithashtu shkel të drejtat e njeriut dhe rregullat e vetë organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, i cili ndalon transferimin e kimikateve”

Sipas mediave greke mbrëmjen e së mërkurës ngarkesa e fundit e arsenalit kimik sirian u transferua nga anija e mallrave “Ark Futura” nën flamurin danez në anijen amerikane “Kep Ray”, e cila do të shkatërrohet brenda disa javëve të ardhshme, në detin Mesdhe.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)