SHKB, hetim për gradat e larta
përgjegjësit do të ndiqen penalisht

SHKB, hetim për gradat e larta<br />përgjegjësit do të ndiqen penalisht
TIRANE- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në polici, ka nisur dje hetimin e të gjitha dosjeve të oficerëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim për të rregulluar sistemin e karrierës në këtë strukturë dhe për të vendosur para ligjit personat që mund të kenë abuzuar në këtë drejtim
 
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim masiv për të verifikuar çdo gradë që është dhënë në polici për tetë vite, me qëllim për të rregulluar sistemin e karrierës në këtë strukturë dhe për të çuar para ligjit personat të gjithë ata që mund të kenë abuzuar në këtë drejtim. Prej kohësh janë hedhur akuza ndaj drejtuesve të policisë, se kanë bërë selektime në mënyrën e ecurisë në gradë të oficerëve të ndryshëm, duke dhënë edhe gradime për oficerë policie që nuk e meritojnë. Në këto kushte, një grup i përbërë nga oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme janë paraqitur dje në orën 08:00 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe kanë nisur punën për verifikimin e të gjitha dosjeve të punonjësve të uniformave blu.

Në fokus do të jenë verifikimi i marrjes së gradave nga Kryekomisar deri tek Drejtues i Parë. Sipas të dhënave, nivelet e gradimit dhe kriteret e kalimit nga një gradë e nivelit më të ulët te më e larta, janë rregulluar me ligjin Nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, duke shfuqizuar ligjin e mëparshëm. Por, para se të hynte në fuqi ky ligj, gradat në polici u ndryshuan me VKM-në nr. 803, datë 21.11.2007 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre”, një vendim i kritikuar nga të gjithë oficerët e lartë të policisë. Sipas ekspertëve, ky vendim nuk bën konvertim dhe as ekuivalentim gradash, por ka dhënë grada sipas funksionit që ka pasur në atë kohë punonjësi i policisë.

Pra, në vitin 2007, kishte grada të dhëna rishtas me kriterin e vetëm, se në atë kohë mbante një funksion të caktuar, pa marrë parasysh asnjë kriter tjetër. Madje, që nga ai moment nuk u përmendën më gradat e mëparshme, pasi edhe ato kanë qenë të lidhura me funksionin. Megjithatë, kjo të lë të dyshosh me arsye se gjatë dy viteve, nga 2005-2007, janë dhënë funksione, jo sipas gradave që ishin në atë kohë, por sipas dëshirave të politikës. Përveç kësaj, ky vendim ka penalizuar të gjithë punonjësit që, për shkak të emërimeve të padrejta, janë gjendur në ato momente në funksione më të ulëta se grada e tyre. Siç dihet, në atë kohë, pa asnjë kriter, oficerë të lartë policie u transferuan në funksione të vogla dhe kur ligji hyri në fuqi, atyre iu mohuan gradat që kishin fituar deri në atë kohë.

Duke u nisur nga këto shkelje të kryera në vitet 2005-2007, por edhe në vitet e mëvonshme, specialistët e policisë kanë dhënë disa rekomandime sesi mund të rregullohet sistemi i gradave. Sipas tyre, kushdo që para hyrjes në fuqi të ligjit të policisë dhe këtij vendimi, ka pasur funksione të pambështetura në gradë, tregon që këtë funksion e ka në kundërshtim me aktet normative në fuqi, ndaj nuk mund të legjitimohet për të fituar gradën nga ligji i ri. Në këto kushte, SHKB do të bëjë të gjitha verifikimet në personel në këtë frymë. Njëkohësisht është kërkuar të ngarkohen me përgjegjësi administrative të gjithë anëtarët e emërtesës, që kanë firmosur për këto emërime, si dhe anëtarët e komisionit të gradimeve të reja për shkeljet në këtë drejtim.
 
Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Vdekja e Kadaresë, Akademia e Shkencave: Humbëm zëdhënësin e kombit, qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve

Vdekja e Kadaresë, Akademia e Shkencave: Humbëm zëdhënësin e kombit, qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve