TIRANE- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka finalizuar raportin e tij në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur më 13 Shtator në Sukth ku mbeti i vrarë Shefi i komisariatit të Kavajës, Kryekomisar Adem Tahiraj. Ky raport i është dorëzuar prokurorisë e cila është ende duke hetuar vrasjen e Tahirajt, ndërsa për këtë vrasje është arrestuar edhe shtetasi Ilir Xhakja. Shqiptarja.com ka mundur të konsultojë konkluzionet dhe materialin hetimor të këtij raporti. Fillimisht në raport përshkruhet në mënyrë të imtësishme itinerari i Tahirajt disa orë përpara vrasjes. "Paradite Adem Tahiraj është nisur në një mbledhje pune të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mes shefave të komisariateve. Kjo mbledhje është anuluar dhe kryekomisar Tahiraj është kthyer drejt Shijakut me tre kolegë të tij dhe më pas me dy prej tyre ka drekuar në restorantin e një pike karburanti sëbashku me dy kolegë. Më pas Adem Tahiraj është nisur në drejtim të komisariatit dhe ka bërë organizimin e vartësve të tij për të nisur kontrollet në lidhje me automjetet që qarkullonin me dokumentacion të parregullt në zonë", - shkruan raporti i SHKB-së. Sipas këtij raporti fillimisht Adem Tahiraj ka lëvizur me automjetin e tij në të cilin ndodheshin efektivët e policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani shoqëruar dhe nga dy automjete të tjera policie. Gjatë kontrolleve të nisura patrulla e drejtuar nga Tahiraj ka bërë kontrolle në 8 automjete të ndryshme në këtë zonë dhe ndaj disa prej këtyre automjeteve janë marrë masa. Por duket se një informacion i mbërritur me radiomars ka bërë që patrulla të shpërndahej.

ZJARRI

Nga centrali i komisariatit të Shijakut ka arhdur alarmi nga një fshat i zonës se në këtë fshat kishte rënë zjarr dhe kërkohej ndihmë. Punonjësit e komisariatit ishin lidhur me shërbimin e zjarrëfikëses por këta të fundit i kanë thënë policisë se nuk do niseshin pa u bërë më parë verifikimi i informacionit për rënien e zjarrit pasi shpesh herë informacionet e mbërritura për zjarr kishin rezultuar false. "Në këtë moment Adem Thiraj urdhëron dy patrullat e tij që të niseshin drejt fshatit për të ndjekur situatën e krijuar me zjarrin dhe ka vazhduar kontrollet. "Në një moment në rrugën e fshatit Katund-Sukth Makina e drejtuar nga Adem Tahiraj ka vërejtur një automjet tip Opel me targa të huaja dhe i ka bërë shenjë të ndalet. Makina ka ndaluar dhe tre efektivët i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit të quajtur Ledian Krasnaj dokumentacionin. Automjeti ka patur probleme me dokumentacionin dhe efektivët i kanë thënë drejtuesit të se duhej të shkonte me ta në komisariat", - shkruhet në raportin e SHKB-së.

XHAKJA
Pas këtij momenti duket se Krasnaj ka njoftuar dajën e vetë Ilir Xhakja i cilli ka mbërritur menjëherë pranë nipit me automjetin e tij, ndërsa raporti i SHKB-së përshkruan dhe momentin e tendosur të debateve të nisura. "Shtetasi Ilir Xhakja ka parkuar makinën e tij tip "Mercedes Benz" pas fuoristradës së policisë, ndërsa ka dalë nga makina e tij ka parë të ulur në vendin e pasagjerit efektivin e policisë Fatmir Hoxha të cilin e ka sharë menjëherë porsa e ka parë dhe nga jashtë makinës e ka goditur disa herë me grushta. Në këtë moment ka reaguar Kryekomisar Adem Tahiraj duke ndërhyrë dhe duke debatuar me shtetasin Ilir Xhakja. Pasi kanë debatuar ashpërsisht me njëri tjetrin nga makina ka dalë efektivi Fatmir Hoxha i cili është përpjekur që të sqaronte dhe të mbante shtetasin Ilir Xhakja duke hyrë në mes të dyve. Në këtë moment kryekomisar Adem Tahiraj ka nxjerrë pistoletën dhe e ka mbajtur drejtuar nga shtetasi Ilir Xhakja për disa çaste duke i bërë paralajmërimin që të mos lëvizte. Duke shfrytëzuar faktin se mes tyre ishte efektivi Fatmir Hoxha, në një moment Ilir Xhakja ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe në befasi ka shtënë 5 herë në drejtim të Adem Tahirajt. Tahiraj ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe ka rënë pa ndjenja në duart e efektivit Fatmir Hoxha", - shkruhet në raportin e SHKB-së.

DESHMITE
Një element i rëndësishëm në Raportin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm janë marrjet në pyetje të punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani nga ana e policisë natën e ngjarjes por edhe nga ana e vetë inspektorëve të SHKB-së. "Pasi është marrë në pyetje fill pas ngjarjes nga oficerë të policisë gjyqësore efektivi Fatmir Hoxha ka deklaruar se personi që kishte vrarë kryekomisarin Adem Tahiraj ishte nga fisi Xhakja, por pa dhënë emër të personit dhe duke u thënë oficerëve se për atë person dinte vetëm se ai ishte nga fisi Xhakja që banon në Sukth-Katund. Ndërsa efektivi tjetër Kastriot Gosturani është shprehur se nuk e njihte fare personin që kishte qëlluar mbi kryekomisarin Adem Tahiraj dhe ka bërë vetëm një përshkrim fizik të një personi të bëshëm dhe me mjekër dhe shumë gjaknxehtë", - shkruhet në raportin e SHKB-së. Më pas raporti thotë se arrestimi i këtyre dy efektivëve është bërë pasi nuk kanë kryer detyrën e arrestimit të shtetasit Ilir Xhakja në moment duke e lënë atë të largohej nga vendi i ngjarjes. E megjithatë emri i vrasësit u mësua nga hetuesit pak minuta pas ngjarjes në mënyrë operative, ndërsa inspektorët e SHKB-së kanë qenë të bindur se efektivët Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani nuk kanë përmendur emrin e Xhakjas nga frika prej tij dhe se realisht e kanë ditur se kush ishte vrasësi me emër dhe mbiemër.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com,  print)
(sg/shqiptarja.com)