Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA mes forcave rivale të Sudanit ka hyrë në ditën e dytë, por nuk po respektohet plotësisht pasi banorët kanë raportuar sulme të reja ajrore. Armëpushimi ka shërbyer për t’u ardhur në ndihmë disa nga civilët që kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre pa ushqime, ujë dhe kujdes mjekësor. Duke përfituar nga ky armëpushim shumë qeveri kanë vijuar operacionet e evakuimit të shtetasve të tyre. më shumë se 100 civilë turq të evakuuar nga Sudani janë kthyer në Turqi me avionë, ndërsa do të evakuohen edhe ata që kanë mbetur.
Ministria gjermane e mbrojtjes njoftoi se ka përfunduar operacionin për evakuimin e njerëzve nga Sudani, që janë rreth 700 persona, mes tyre 200 shtetas gjermanë. Rreth 245 të evakuuar nga Sudani, përfshirë 195 shtetas francezë, kanë zbarkuar në Paris. Po ashtu një varkë me 1,687 civilë nga më shumë se 50 shtete të ndryshme ka mbërritur në Arabinë Saudite pas largimit nga Sudani.
Ndërkohë policia e Sudanit ka njoftuar se forcat paraushtarake kanë hyrë në pesë burgje duke liruar të burgosurit. Sipas policisë së Sudanit gjatë lirimit të të burgosurve mbetën të vrarë disa zyrtarëve të burgut dhe disa të tjerë u plagosën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ka paralajmëruar Këshillin e Sigurimit se luftimet e ashpra të cilat deri më tani kanë marrë të paktën 459 jetë, mund të përhapen edhe në vendet e tjera të rajonit. Frika e sigurisë është rritur edhe më shumë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të martën për një rrezik të madh biologjik pasi forcat paraushtarake kanë pushtuar një laborator në Khartoum që mban mostra të kolerës, fruthit, poliomielitit dhe sëmundjeve të tjera infektive.