Një drejtues gomoneje është ndëshkuar me gjobë 500 mijë lekë pasi hyri me mjetin lundrues në zonën e rezervuar për pushuesit në Gjirin e Hartës, në Ksamil, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e tyre.

Ngjarja u filmua nga qytetarët, të cilët e denoncuan menjëherë në Policinë e Shtetit. Pas denoncimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare ndërhynë, identifikuan drejtuesin, bllokuan gomonen dhe vendosën ndaj tij masën administrative prej 500 mijë lekësh.

Policia Kufitare thekson se drejtuesit e mjeteve lundruese duhet të respektojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rregullat e lundrimit, ndërsa paralajmëron se çdo shkelje që rrezikon jetën e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.

Gjatë gjithë sezonit turistik, shërbimet e Policisë Kufitare po vijojnë kontrollet në të gjitha zonat bregdetare për të garantuar sigurinë në plazhe.