"S’më shqetësojnë fare as hetimet, as verifikimet. Unë kam bërë drejtimin politik të ministrisë. Gjithëkush është i lirë të verifikojë. Gjithë veprimtaria ime është bërë mbi bazën e dokumentave që janë atje. Të verifikohen, unë jam i gatshëm. Por gjithashtu duhet t’ju them se koha e drejtësisë popullore kur ngriheshin thashethemnaja dhe njerëzit goditeshin qoftë moralisht, qoftë fizikisht ka përfunduar bashkë me sistemin e kaluar. Unë jam këtu, do jem këtu. Nëse kjo do të degjenerojë në goditje politike, unë do t’i përgjigjem politikisht shumë rreptë".
Ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto po hetohet për abuzimet me rrugën Tiranë- Elbasan e cila edhe pse ka nisur të ndërtohet që në vitin 2011, ende nuk ka përfunduar, ndërsa nuk kanë munguar fondet nga buxheti i shtetit për këtë segment. Për këtë dosje Krimet e Rënda kanë nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro. Ndaj Xhikës ka një masë arrest me burg edhe nga Gjykata e Elbasanit për shkelje lidhur me projektin e rrugës Elbasa-Gjinar, duke llogaritur një dëm prej 5.3 mld lekë.
Edhe KLSH zbuloi shkelje në vitin 2016 për Tiranë-Elbasan dhe keqmenaxhim të projektit, por Ministria e Transporteve nuk mori masa. Hetimet për shkelje në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan i udhëheq prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj. Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori, më i fundit i dorëzuar nga ministri Damian Gjiknuri më 12 dhjetor 2017, bazuar në një audit të brendshëm. Nga ky audit u evidentua një dëm prej 54 milionë dollarë.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO









