'Shkëlzen Berisha më bëri presion që të dërgoja municion në Gërdec pa vonesa', dëshmia e Luan Hoxhës te amerikanët: Kam frikë (kabllogrami sekret për Gërdecin)

'Shkëlzen Berisha më bëri presion që të dërgoja municion në Gërdec pa vonesa', dëshmia e Luan Hoxhës te amerikanët: Kam frikë (kabllogrami sekret për Gërdecin)

Luan Hoxha dhe Shkëlzen Berisha

1696358993_1696358884hoxhaberisha.jpg

Gjykata e Posaçme ka pranuar sot listën e plotë të dëshmitarëve të SPAK për tragjedinë e Gërdecit. Bëhet fjalë për 71 emra, ku për herë të parë do të thirret edhe Shkëlzen Berishën, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Mes dëshmitarëve dallohet edhe emri i Luan Hoxhës, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë. Ai u largua nga Shqipëria përmes pikëkalimit kufitar të Rinasit më 4 janar 2012. Largimi i tij ndodhi në kohën kur dosja “Gerdeci” po shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, ku Luan Hoxha u gjykua në mungesë madje, trupi gjykues që i caktoi një mbrojtës kryesisht.

Në një kabllogram që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit, në 20 qershor 2009, shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa. Kabllogrami i publikuar nga VVikileaks, pretendon se i pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Luan Hoxha ishte përgjigjyr me PO”.

Në shtator 2011, Luan Hoxha konfirmoi se kishte raportuar tek ambasadori amerikan, por mohoi që të kishte folur për Shkëlzenin. Në mars 2019, Shkëlzen Berisha, ka përdorur mohimin e Luan Hoxhës për tu mbrojtur nga akuza teksa ka theksuar “vetë Luan Hoxha, në një deklaratë publike thotë se gjatë takimit me Uithers, nuk është përmendur emri i Shkëlzen Berishës”. Luan Hoxha u kërkua dëshmitar edhe në kallëzimin e Zamira Durdës, në vitin 2022, SPAK është shprehur se nuk e ka gjetur adresen e tij pasi ai ndodhet jashtë shtetit. Por përfshirja e tij në një listë të re, të paraqitur së fundi në gjykatë, i hap rrugë mundësisë që Shqipëria të kërkojë pyetjen e Hoxhës atje ku është, me anë të lëtërporosive. Kjo procedurë i mundëson gjykatës dhe palëve në proces, të rendisin pyetjet të cilat dërgohen në SHBA dhe më pas, Luan Hoxha pyetet në një gjykatë amerikane. Përgjigjet e tij kthehen në rrugë gjyqësore në Shqipëri dhe përdoren në cilësinë e provës në procesin “Gërdeci”.

Kabllogrami i plotë i ambasadës amerikane

Klasifikuar nga: Ambasador John l. Withers

1. (C) Këmbëngulja dhe entuziazmi i ngjarjeve të fundit politike, nga kalimi i ndryshimeve të diskutueshme kushtetuese në mesin e prillit deri në votimin e 16 qershorit të pesë kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, ka pak kuptim në sipërfaqe. Thashethemet rrotullohen rreth kryeqytetit se çfarë mund të jetë kjo, por zyrtarët e rangut më të lartë, duke përfshirë kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli dhe presidentin Topi i shmangen spekulimeve të tilla, duke u përqendruar në luftën politike në fjalë. Në këtë klimë gjithnjë e më të ndezur politike, ish-shefi i Mbrojtjes, Luan Hoxha, kërkoi ambasadorin për të diskutuar shkarkimin e tij të fundit, bashkëpunimin e tij me Prokurorin e Përgjithshëm dhe pikëpamjen e tij për faktet për Gërdecin.

2. Në një takim të 17 qershorit që kishte kërkuar me ambasadorin, shefi i Shtabit i shkarkuar së fundmi Luan Hoxha shpalosi anën e tij të historisë në lidhje me shpërthimin e Gërdecit të 15 marsit.

Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi në Ambasadë se që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka marrë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.

Hoxha pranoi se stafit të tij i ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar.

Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një "djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, “pa asnjë vonesë”.

I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës. Mbi këtë ai tha se nuk ndihej i sigurt që të fliste.

Ambasadori i tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk konfirmoi që do ta bënte këtë. (Shënim: Hoxha tha se ka plot të tjerë që e dinë këtë informacion).

Koment: Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin. I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Disa jashtë mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës. Si shef i ushtrisë, marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura; ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij.

Sipas të dhënave, Prokurorja e Përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj larg ushtrisë dhe Mediut. Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të vërtetë mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavarura pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n…”


Lajmi kryesor:

Gjyqi i Mediut/ Gjykata e Posaçme pranoi Shkëlzen Berishën për herë të parë dëshmitar për masakrën e Gërdecit


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim