Shkëlzen, po i prish punë
partisë së babit

Shkëlzen, po i prish punë<br />partisë së babit
Hera e parë që e dëgjoja Shkëlzen Berishën të fliste. Sjellja e tij në komisionin parlamentar hetimor, gjuha e tij e trupit, por mbi të gjitha zëri i tij më krijuan përshtypjen e një djali të llastuar. Sidomos zëri i tij krahasuar me atë të të atit ishte zhgënjimi më i madh.

Sepse Saliu me atë zërin e tij bubullues dominoi mbi çerekshekulli politikën shqiptare. Ishte zëri i një njeriu të ardhur nga provinca e thellë që arriti t’u imponohet të gjithëve.

U bë frika e Bllokut, të cilët filluan të nxirrnin nga sepetet ndonjë fotografi rastësore që kishin bërë me kardiologun e dikurshëm dhe e mbanin si tapinë më të çmuar për vite e vite me radhë. Shkëlzeni nuk më la këtë përshtypje. Madje në krijoi ide të kundërt.

Në fakt mbledhja e komisionit nuk ishte ndonjë audicion i “Gjeniut të Vogël” ku gjykohet për decibelët e zërit. Nejse. Megjithatë e kam të vështirë ta shuaj shijen e djalit të llastuar. Sepse Berisha junior mu duk po aq jashtë realitetit sa djemtë e bllokmenëve në dhjetorin ‘90.

Mu duk aq i dëmshëm për Partinë Demokratike,(parti që babai i tij e ka drejtuar në mënyrë heroike për mbi çerekshekulli) sa fëmijët e Bllokut në kohën e krijimit të PS. Ashtu si djemtë e Bllokut para 27 vjetësh dhe Shkëlzeni duket se nuk po e kupton çfarë po ndodh në Shqipëri. Shqiptarët po shikojnë se është krijuar Blloku i ri.

Se alternimi i pushtetit nuk bëhet më nga klani Shehu te klani Kapo, por kur oligarkët vendosin të zëvendësojnë PD me PS. Blloku është pluripartiak. Dhe secila palë ka të paprekshmit e saj. Shqipëria aktualisht ndodhet si në kapitullin e fundit të “Fermës së Kafshëve”, ku të gjitha kafshët janë të barabarta para ligjit, por derrat më shumë.

Pandëshkueshmëria dhe pabarazia para ligjit janë plaga më e madhe. Gjithë shoqëria shqiptare është e gatshme të linçojë këdo që del kundër bërjes së drejtësisë. Tema e debatit të sotëm politik është nëse kjo drejtësi do jetë më në fund e pavarur, apo Rama kërkon t’i marrë Berishës kontrollin e drejtësisë dhe ta përdorë atë si kobure kundër kundërshtarëve politikë.

Gjithçka po shikohet me lupë, madje shpesh dhe me paragjykimin e atyre që pasi janë djegur nga qumështi thonë se duhet t’i frynë dhe kosit.

Nuk është çudi që Rama të kërkojë të vendosë drejtësinë në kontroll. Shpesh pafuqia e skrupujve njerëzorë është e tillë sa të gjithë tentojnë të kenë sa më shumë pushtet.

Formula e Monteskië: Balancimi i pushteteve është zgjidhja më e mirë.

Për të dytën herë rresht që është paraqitur në komisionin hetimor Berisha junior tregoi se nuk e ka kuptuar se çfarë nuk tolerojnë më shqiptarët: Pordhët. Mund t’ia kenë toleruar Sali Berishës që ka refuzuar të dëshmojë në prokurori, por nuk mund ta kapërdijnë për të birin. Do ishte dozë elefanti.

Pavarësisht se çfarë mund të mendoj unë, Shkëlzen Berisha apo shumë shqiptarë të tjerë për Taulant Ballën, Berisha junior është thirrur në institucionin më të lartë të shtetit shqiptar. Duhet ta respektojë.

Pavarësisht se mbledhja zhvillohet në sallën e Byrosë së dikurshme Politike, ku në muzgun e jetës së tij Enveri drejtonte mbledhjen në mënyrë aluciante duke e pyetur Viton: Vetëm ke ardhur, komisioni parlamentar hetimor duhet respektuar.

Duke refuzuar të bëjë betimin, siç parashikon procedura, Berisha junior sikur na tha se nuk pjerdh për parlamentin. Shpresa se mund të shmangë procedurën me ndihmën e kthimit të ndonjë borxhi të vjetër nga ndonjë polic i kohës se lavdisë së Lazaratit është sikur të kapësh pas fijes së kashtës.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë