Disa njerëz që jetojnë shumë gjatë ia atribuojnë këtë një gote me alkool në mbrëmje, të tjerët qëndrimit larg problemeve. Tani shkencëtarët mendojnë se mund të kenë zbuluar një sekret kryesor të jetëgjatwsisë, thjesht,gjenetikën.
Në një studim të publikuar në revistën Science, studiuesit përshkruan se si studimet e mëparshme që kishin tentuar të analizonin komponentin gjenetik të jetëgjatësisë njerëzore nuk kishin marrë parasysh se disa jetë përfundonin para kohe për shkak të aksidenteve, vrasjeve, sëmundjeve infektive apo faktorëve të tjerë jashtë trupit. Kjo “vdekje nga faktorë të jashtëm” rritet me moshën, pasi njerëzit shpesh bëhen më të dobët.
Prof. Uri Alon dhe kolegët e tij në Institutin Shkencor Weizmann në Izrael thonë se kontributi i vërtetë gjenetik për ndryshimet në jetëgjatësinë e njerëzve është fshehur.
Ekipi hulumtoi “trashëgueshmërinë”, pjesën e ndryshimit të një karakteristike si gjatwsia, pesha trupore ose jetëgjatësia brenda një popullate që mund t’i atribuohet gjenetikës dhe jo faktorëve mjedisorë. Studimet e mëparshme mbi jetëgjatësinë e njerëzve kanë dhënë një gamë të gjerë vlerash, me trashëgueshmëri që varionte nga 6% deri në 33% e ndryshimit.
Por Alon, bashkautor i kërkimit, dhe kolegët e tij thanë se këto shifra janë nënvlerësime. “Shpresoj që kjo të inspirojë studiuesit të kërkojnë thellësisht gjenet që ndikojnë në jetëgjatësi,” tha Alon. “Këto gjene do të na tregojnë mekanizmat që rregullojnë orën tonë të brendshme. Këto mund një ditë të kthehen në terapi për të ngadalësuar ritmin e plakjes dhe në këtë mënyrë të ngadalësojnë të gjitha sëmundjet që lidhen me moshën njëherësh.”
Ekipi krijoi një model matematikor që merr parasysh vdekshmërinë nga faktorë të jashtëm dhe ndikimin e plakjes biologjike, dhe e kalibroi duke përdorur korrelacionet e jetëgjatësisë nga të dhënat historike të mijëra binjakëve në Danimarkë dhe Suedi.
Ata hoqën ndikimin e vdekshmërisë nga faktorë të jashtëm për të zbuluar sinjalin nga plakja biologjike, i cili shkaktohet nga gjenetika. Rezultatet sugjerojnë se rreth 50% e ndryshimit në jetëgjatësinë e njeriut i atribuohet gjenetikës, një shifër që studiuesit thanë se është në nivel të ngjashëm me atë që shihet tek minjtë e egër në laborator.
50% tjetër i ndryshimit në jetëgjatësinë e njerëzve, thanë ata, shpjegohet nga faktorë si efektet biologjike të rastësishme dhe ndikimet mjedisore.
“Këtu do të prisnim të gjenim të gjithë faktorët e zakonshëm, stilin e jetës, dietën, ushtrimin, marrëdhëniet shoqërore, mjedisin dhe më shumë,” tha Ben Shenhar, bashkëautor i kërkimit, duke shtuar se stili i jetës dhe mjedisi ndoshta do të bëhen më të rëndësishëm me moshën.
Ekipi testoi rezultatet e tyre duke përdorur të dhëna nga një studim amerikan mbi vëllezërit dhe motrat e qindra vjeçarëve dhe gjeti një trashëgueshmëri të jetëgjatësisë prej rreth 50%.
Testime të mëtejshme me një tjetër grup të dhënash suedeze zbuluan se ndërsa vdekshmëria nga faktorë të jashtëm që nga fillimi i shekullit XX, ndoshta për shkak të përmirësimeve në shëndetin publik, kontributi i gjenetikës ndaj jetëgjatësisë u rrit, duke mbështetur idenë se kjo lloj vdekshmërie ishte një faktor kyç te trashëgueshmëria. Ekipi gjithashtu zbuloi se trashëgueshmëria e jetëgjatësisë ndryshonte në varësi të shkakut të vdekjes, si kanceri ose demenca, dhe moshës.
Shenhar shtoi se përvoja e përditshme tregon se gjenetika luan një rol të rëndësishëm në jetëgjatësi. “Rreth 20% e personave që jetojnë 100 vjet ose më shumë, për shembull, arrijnë moshën 100 vjeç pa sëmundje serioze,” tha ai, duke shtuar se kjo mund të sugjerojë se gjenet e tyre kanë një efekt mbrojtës. “Janë kryer studime për të identifikuar këto gjene mbrojtëse, dhe shumë janë gjetur, por sigurisht se ka edhe shumë të tjerë që mbeten për t’u zbuluar,” tha ai.
Edhe pse studimi i ri nuk merr parasysh ndikimin që gjenet mund të kenë mbi sistemin imunitar, Prof. Richard Faragher nga Universiteti i Brighton tha se kërkimi sugjeronte se njerëzit nuk dukeshin si një rast i veçantë kur vjen puna tek trashëgueshmëria e jetëgjatësisë.
Komente









