SHKODËR - Një aksident i rëndë ka ndodhur në qendrën e qytetit të Shkodrës, ndërsa dy persona janë plagosur. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në bulevardin "Zogu 1" në Parrucë rreth orës 21-30 të së shtunës, kur motoçikleta me targa SH 464 C e cila drejtohej nga 20 vjeçari Edison Nikolla ka rrëshqitur dhe është zvarritur për disa metra.

Sipas policisë 20 vjeçari, Edison Nikolla, ka humbur kontrollin e motorit në të cilin po udhëtonte dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës kryesore, ndërsa në motorin e këtij të fundit mësohet se ndodhej dhe një tjetër person, një vajzë, e cila ka marrë plagë më të lehta në trup.

Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur efektivët e policisë rrugore ndërsa 20- vjeçari është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës sëbashku me vajzën e dëmtuar.

Bluzat e bardha bëjnë të ditur se 20- vjeçari ka pësuar dëmtime te shumta në trup ndërsa ndodhet në gjendje koma në reanimacionin e spitalit, nga ana tjetër vajza e dëmtuar ka pësuar dy fraktura dhe si pasojë ka dalë nga spitali.

Ndërkohë burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se shkak për këtë aksident mund të ketë qenë shpejtësia e cila ka shkaktuar humbjen e kontrollit të motoçikletës. Megjithatë hetimet vijojnë për zbardhjen e shkaqeve te aksidentit te rende.

(b.m/shqiptarja.com)