SHKODER- Nis puna për largimin e mbetjeve të depozituara prej vitesh në lumin Kir në Shkodër. Punimet janë inspektuar edhe nga prefekti i qarkut, i cili vuri në dukje mungesën e fondeve dhe mjeteve nga bordi i kullimit.

Ndërhyrjet synojnë minimizimin e pasojave të përmbytjeve, veçanërisht në 2 zona problematike, në Bardhaj dhe në fshatin Kuç. Punimet i inspektoi nga afër edhe Prefekti i qarkut Shkodër, Paulin Radovani, i cili pranon se punimet po kryhen vetëm me ato pak mjete që ka bordi i kullimit në dispozicion dhe pa asnjë fond.

Vetëm në Bardhaj, pjesë e komunës Rrethina, nga bordi i kullimit janë larguar rreth 10 mijë metër kub zhavor, janë vendosur 1 mijë metër kub gur dhe 300 metër kub blloqe betoni, që të krijohet një pritë për shpëtimin e 15 shtëpive nga rreziku i përmbytjeve. Në zoneën e Kuçit gërmimet e fadromave janë më të mëdha dhe brenda 10 ditësh pritet të përmbyllen gërryerjet më të mëdha, duke larguar rrjedhën nga tokat e fshatit.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)