SHKODËR - Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf ka mbetur i shokuar dhe është mërzitur kur dëgjoi se ndërmarrja e ujësjellës-kanalizime qytet në Shkodër ka shifra të larta sa i përket nivelit të humbjeve në rrjetin furnizues, faturimet e ulëta për ujin që shpenzohet nga qytetarët, mbulimin jo 100% të kostove apo edhe rënien e prodhimit të ujit me 12% të kësaj ndërmarrje për vitin 2014.

Ambasadori Graf nuk arriti ta besonte kur dëgjoi shifrat për të cilat u alarmua dhe kërkoi masa të menjërshme. Ambasadori ishte i pranishëm në një tur takimesh në qytetin e Shkodrës teksa u ndal edhe tek ndërmarrja e ujësjellësit në një takim me drejtorin Leonard Kepi, Nënkryetarin e Bashkisë Shkodër Ahmet Omi, drejtorin e shërbimeve publike Alfred Luleta dhe drejtoren e urbanistikës në Bashkisë Aida Shllaku. Fillimisht shefja e planit e ujësjellësit Valbona Paja bëri një pasqyrë të vitit 2014.

"Përsa i përket nivelit të prodhimit të ujit ka një rënie me 12%. Përsa i përket edhe sasisë së ujit të faturuar edhe ajo ka rënie dhe po ta shohim me përqindje, nëse niveli i prodhimit të ujit ka rënë me 12%, përqidnaj e faturimit ka rënë me 20% për vitin 2014. Po ashtu niveli i humbjes së ujit është i konsiderueshëm dhe është i paraqitur në vlerë absolute me 1 milion e 600 metër kub e thënë në përqindje 67% janë humbje në rrjet"- tha Paja. 

Më pas në fjalën e tij ambasadori mbeti i shokuar dhe tejet i surprizuar për shifrat që dëgjoi. "Jam i shokuar kur shoh shifra kaq të mëdhaja të klientëve që nuk paguajnë për ujin që marrin dhe duhet që ta pranojmë që uji në një të ardhme të shpejtë ka për të qenë shumë shmë më i shtrenjtë se aktualisht. Prandaj duhet që ta ruajmë dhe duhet që të futemi në rrugën e mbarë dhe sigurisht që duhet të paguhet uji që shpenzohet. Jam pak i mërzitur kur shoh pjesën e ulët të mbulimit të shërbimeve nga vetë ndërmarrja. Objektivi duhet të jetë, në mënyrë që të kemi rezultate operacionale pozitive të mbulimit në nivelin e kostos 100%. Nuk e di se si ju mund t'ia arrini kësaj. E rëndësishme është gjithashtu që projekti që po mbaron të merrni përgjegjësitë e duhura dhe të përmirësoni më tej këto tregues. Po t'ju them qytetarëve zvicerian që shqiptarët nuk paguajnë për ujin që marrin unë do të kisha probleme më pas me vendin tim Zvicrën sepse pyetja që do t'më bënin është se çfarë bëhet me paratë që zvicerianët paguajnë me taksat e tyre për investime të tilla në Shqipëri"-deklaroi ambasadori zvicerian. 

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ahmet Omi, njëkohësisht edhe kryetar i bordit të ujësjellësit sh.a Shkodër tha se 40% e humbjeve janë vetëm në Komunën Rrethina duke qenë se stacioni i pompave ndodhet në Dobraç, pjesë e komunës Rrethina. Atje banorët abuzojnë duke bërë lidhje të paligjshme në tubat që sjellin ujin në qytetin e Shkodrës për tu furnizuar ata vetë me ujë apo për ta lagur tokat bujqësore që kanë. Sidoqoftë maksimumi deri në vitin 2016, sipas Omit pritet një investim për Komunën Rrethina për të bërë një rrjet shpërndarës të ujit vetëm për atë zonë dhe për ta shkëputur nga qyteti i Shkodrës. "Na rezulton një zonë me shumë skonto ose me shumë humbje Komuna Rrethina dhe e llogaritur me hyrjet e daljet rezulton me rreth 40% humbje vetëm aty. Pra nëse prodhohet 100 litër në stacionin kryesor të Dobraçit në Shkodër në qytet hyn 60 litër. Na është premtuar se mos në 2015, në vitin 2016 do të frekuentohet me një investim të rëndësishëm ku do të bëhet shkëputja përfundimtare e rrjetit të furnizimit të Komunës Rrethina me Bashkinë Shkodër gjë që do të bëjë të mundur maksimalisht uljen e humbjeve në lidhje me temën që po diskutohet për problematikën aktuale"-deklaroi nënkryetari Omi.

Gjatë këtij takimi ambasadori zvicerian u njoh edhe me hapat e fundit të projektit madhor për përmirësimin e rrjetit furnizues të ujësjellësit në qytetin e Shkodrës ku qeveria zviceriane, gjermane dhe austriake e bashkëfinancojnë. Në fakt ky projekt ishte edhe arsyeja e takimit por shifrat që ambasadori dëgjoi e ndryshuan rrjedhën dhe temën për të cilin ai takim zhvillohej. 

Vizita në Bashkinë Shkodër!
Fillimisht ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf ishte i pranishëm në një takim në Bashkonë Shkodër teksa u prit nga kryetari i Bashkisë Lorenc Luka në zyrën e këtij të fundit. Ambasadori në këtë takim tha se duhet të forcohet pushteti vendor dhe se tashmë ka ardhur koha që pushteti vendor t'i ofrojë qytetarëve shërbimet maksimale dhe se duhen parë mirë se kush do të jenë figurat e ardhshme që do të drejtojnë Bashkitë në Shqipëri. Para se ambasadori të shprehej kështu, kryebashkiaku Luka i uroi mirëseardhjen dhe e falenderoi për investimet e qeverisë zviceriane në Shkodër.

"Instalimin në qytetin e Shkodrës të një prej projekteve më të rëndësishëm që ndodhet sot në Shqipëri në kuadër të decentralizimit ka patur ndikimet e veta pozitive. Edhe sot që po diskutojmë nga arritjet më të mira Bashkia Shkodër në kuadrin e funksioneve të veta ka bërë duke u konsultuar edhe me këtë projekt. Besoj se edhe ju jeni të kënaqur me rezultatet që keni patur në Shkodër por edhe me njësitë e tjera vendore sepse sot shumë modele mund të merren në Shkodër në kuadrin e zbatimit të këtij programi. Unë ju siguroj që Bashkia Shkodër është një partner serioz, bashkëpunimi në të ardhmen uroj që të shtrihet edhe në fusha të tjera"-deklaroi kryebashkiaku Luka.
Më tej ambasadori Graf dha mesazhin e tij duke thënë se duhet që të forcohet pushteti vendor. "Ne si qeveri e Zvicrës jemi shumë të bindur se Bashkitë dhe Rajonet duhet që të forcohen, veçanërisht sa i takon reformës administrative territoriale. Ne e kemi diskutuar këtë problem me autoritet të ndryshme në Tiranë, padyshim për ne është e rëndësishme edhe pikëpamja e kryetarëve të ardhshëm, ambicjet dhe vlerësimet e tyre. është edhe mbështetja që qeveria e Zvicrës ka ofruar për furnizimin me ujë në qytetin e Shkodrës. Ne jemi të bindur se pushtetet vendore, qytetet kanë nevojë për një identitet ku edhe për shërbime cilësore të ofruara në mënyre konkrete dhe rezultate të prekshme. Qytetarët kanë nevojë të shohin që taksat që paguajnë të kthehen në shërbime"- u shpreh ambasadori Graf.

Ambasadori zvicerian i dhuroi kryebashkiakut Luka një thikë tradicionale zviceriane dhe atë që është simbol i Zvicrës, flamurin. Nga ana e tij kryebashkiaku Luka ia ktheu me një album fotografik me foto të dinastisë Marubi, dhurat e zakonshme e kryebashkiakut për të huajt në takime e vizita të ndryshme.

Vizita në fototekën Kombëtare "Marubi"!
Ambasadori zvicerian ishte i pranishëm edhe në fototekën kombëtare "Marubi" pas takimit me kryebashkiakun Luka dhe para se të shkonte në ndërmarrjen e ujësjellësit. Në pritjen që i bëri drejtori i fototekës "Marubi", Luçian Bedeni, ambasadori Graf pau nga afër mjediset aktuale ku ndodhet fototeka duke hyrë edhe tek dhoma e vogël e arkivës. Pas disa bisedave të shkurtra, të gjithë sëbashku u zhvendosen tek ndërtesa ku do të dërgohet fototeka Kombëtare "Marubi" e cila pas zhvendosjes do të quhet muzeum dhe jo më fototekë si deri tani. Ambasadori krijoi një ide për ndërtesën që ndodhet në pedonalen "Kolë Idromeno" në të cilën ende nuk kanë nisur punimet edhe pse është shpallur firma fituese nga Holanda. Nga aty pati një tjetër zhvendosje pak metra më tutje në një mjedis ku u nënshkrua edhe një marrëveshje mes ambasadorit zvicerian dhe drejtorit të departamentit në Fondin Shqiptar të Zhvillimit Blendi Bushati për muzeumin "Marubi". FSHZH do të zbatojë financimin e IPA programi Ndërkufitar i Bashkimit Europian me mbështetjen e një sërë aktorësh të tjerë që tashmë janë shtuar kur kanë parë rëndësinë e fototekës "Marubi". 

Fillimisht fjalën e mori ambasadori Graf duke treguar se kjo është një thesar për Shkodrën e Shqipërinë.
"Fotogaleria "Marubi" është nje akses i rëndësishëm dhe një thesar jo vetëm për Shkodrën e Shqipërinë por do të thosha edhe më tej në nivel Ndërkombëtar. Gati gjysëm milion negativa që gjenden këtu tregojnë në mënyrë vizuale jetesën dhe historinë e Shqipërisë çka është një akses, një vlerë e jashtëzakonshme për vendin dhe popullin. Për këtë arsye jam shumë i gëzuar që në emër të qeverisë zviceriane të konfirmoj një kontribut në këtë proçes me një vlerë monetare prej 42 mijë eurosh"- tha ambasadori.
Shqiptarët nuk mundën që ta shmangnin debatin politik. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Shkodrës Lorenc Luka në mënyrë të moderuar por edhe me një farë ironie debatuan politikisht për ndërtesën e blerë ku do të zhvendoset fototeka "Marubi". Ministrja Mirela Kumbaro si përfaqësuese e qeverisë së sotme, nga ana e saj nuk tha asnjë fjalë për qeverinë e kaluar të demokratëve të cilët bënë të mundur blerjen e ndërtesës por u mjaftua duke thënë se është rasti kur "bashkimi bën fuqinë". Nga ana e tij kryebashkiaku Luka kërkoi që qeverisë së mëparshme t'i njihet merita e blerjes së ndërtesës duke qenë se Luka përfaqëson PD-në. 

"Është rasti tipik kur merr jetë shprehja "bashkimi bën fuqinë" duke nisur nga ish-pronarët e asaj godine të cilët bujarisht dhe me kulturë pranuan t'ia shesin shtetit godinën edhe pse për 2 vjet nuk arriti të përdorej. Konfiroj vullnetin e qeverisë shqiptare që projekti "marubi" edhe duke ushqyer këtë bashkim forcash, mbetet ndër projektet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri. ne na mbetet ta mbështesim deri në fund dhe t'i japim jetë pa asnjë dilemë këtij projekti ndër më të mirët në rajon. Deri atëhere le të rrimë të bashkuar"-deklaroi Ministrja. 

"Ashtu siç e tha edhe ministrja është një projekt i rëndësishë dhe për vetë mesazhin që përcjell që "bashkimi bën fuqinë" do thoja se është e rëndësishme edhe kontributi që dha qeveria e mëparshme për blerjen e objektit sepse po të mos ishte ai kontribut sot nuk do të kishim këtë ndërtesë të cilët do ta shndërrojmë në muze dhe besojmë se me këtë frymë konstruktivitetit Shkodra do të ketë një vlerë tjetër të shtuar"-deklaroi kryebashkiaku Luka.

Drejtori i departamentit në FSHZH Blendi Bushati tregoi mënyrën se si do të vendoset muzeumi tashmë "Marubi" në ndërtesën e re. "Do të zgjidh në mënyrë më afatgjatë të gjithë këto çështja që janë të lidhura me muzeun si mbrojtjen e arkivës e cila sot nuk është ndoshta në kushte shumë të përshtatshme por ndoshta edhe një muze i cili mund të vizitohet nga turistë të ndryshëm, vizitorë vendas apo të huaj, parashikohet restaurimi i godinës ekzistuese për dy katet që do përdoren për pjesën muzeale, parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e një shtese të re e cila do të përmbajë bibliotekën dhe një pjesë më interaktive me ekran me prekje"- tha Bushati.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisin punimet në ndërtesën ku do të zhvendoset muzeumi "Marubi" për të cilën Ministrja e Kulturës Kumbaro u kujdes që të mos japë ndonjë afat. Sidoqoftë shumë shpejt pritet që të nisin punimet duke qenë se ndërtesa është e gatshme, firma fituese është shpallur dhe po ashtu përveç fondit nga BE janë edhe një sërë aktorësh që janë afruar dhe janë të gatshëm të kontribuojnë dhe të mbështesin këtë projekt të rëndësishëm jo vetëm për Shkodrën e Shqipërinë por edhe për Rajonin e pse jo krejt Europën.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)