SHKODER - Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy persona, për armëmbajtje pa leje. Sipas uniformave blu mësohet se babai 51-vjeçar Kole Lufaj dhe i biri i tij, 18-vjeçari Dede Lufaj, të dy banues në fshatin “Vuksanaj”, Komuna Shalë Shkodër, janë vënë në pranga pasi në banesën e tyre u janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe lëndë narkotike.

Policia pas kontrollit ka sekuestruar një sërë provash materiale, si lëndë narkotike e tharë në formë boçe, fara bimore të bimëve narkotike, 1 armë zjarri pushkë model 56 me rrip e bajonetë, 1 armë zjarri pushkë model 63, me rrip e bajonetë, 325 copë fishekë dhe dy krehra, një granatë dore (difensive), një fitil zjarrpërcjellës me gjatësi 1 metër, një tjetër me gjatësi 3 metër, një lëndë e dyshuar si lënde plasëse Amatoll e ndarë në 3 copa, me peshë 600 gram.

Burime të Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se babë e bir dyshohen gjithashtu për kryerjen e krimeve të rënda përpara disa vitesh në komunën e Shalës. Për këtë shkak drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po vazhdojnë hetimet për të zbuluar aktivitetin kriminal të dy shtetasve të arrestuar si dhe përfshirjen e mundshme të tyre, në ngjarje të vjetra, të pazbuluara.

(el.na/shqiptarja.com)