Shkodër, gazetarët të pafuqishëm
dhe në prehër të rutinës

Shkodër, gazetarët të pafuqishëm<br />dhe në prehër të rutinës
SHKODER- Megjithëse është qyteti që, pas Tiranës, ndoshta ka numrin më të madh të televizioneve private me edicione të rregullta informative - katër të tillë, pa llogaritur TV Koplikun, si dhe një TV që transmeton vetëm klipe këngësh popullore - Shkodra mbetet qyteti, ku të vërtetat e hidhura, që meritojnë të publikohen, vijojnë të qarkullojnë nëpër kafene apo nën buzët e njerëzve, që flasin në mejhane, ndërkohë që, aty ku duhet, flasin me vete.

Shkodra është ndoshta një ndër rastet e pakta, dhe ndoshta i vetmi qytet i rëndësishëm në vend, ku në dy fushatat e fundit elektrale, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 dhe ato lokale të 21 qershorit 2015, pronarët e thuajse të gjithë televizioneve private të saj ishin protagonistë direkt të tri forcave kryesore politike, si kandidatë për deputetë.

Këtu bën përjashtim vetëm një televizion i hapur në fillim të vitit 2014, pronari i të cilit nuk është i lidhur, të paktën deri tani, me politikën dhe në të njëjtën kohë televizioni i të cilit po bën përpjekje serioze për një drejtim ndryshe, jo vetëm përsa i takon paanshmërisë në edicionet e lajmeve, por edhe në programacion, duke shfrytëzuar risitë e shumta tekonologjike që ofron sot tregu.

Duke iu rikthyer ndikimit apo, më mirë, ndërhyrjes së padiskutueshme të politikës në dëm të informimit të paanshëm të publikut, mund të theksoj pa dyshim se të paktën në këto dy palë zgjedhjet e fundit, për arsyet që shtrova më lart, TV Rozafa dhe TV1 Channel kanë mbajtur qëndrime radikale dhe lehtësisht të njëanshme në krah të kandidatëve të tyre të preferuar politikë, duke shkelur kështu me dy këmbë minutazhin që ia lejon ligji për balancim ndërmjet kandidatëve kryesorë.

Aq i theksuar ka qenë ky fenomen në këto dy televizione, sa që aty nuk u transmetua as edhe një minutë në kronikat e lajmeve nga fushata që një kandidat i pavarur për kryetar bashkie ose kandidati i tretë, përveç dy kandidateve kryesore femra, zhvilloi në zgjedhjet lokale të 21 qershorit të këtij viti në Shkodër.

Në këto kushte, imagjinohet lehtë se sa pak ose aspak kanë në dorë të bëjnë gazetarët, që punojnë krejtësisht të pambrojtur në të tilla media vizive, ku duhet patjetër të zbatosh parimin absurd: “O me ne, o me ata”! Dhe, në rastet jo të pakta kur në tregun e vakët mediatik të Shkodrës, i cili i ngjet më tepër një kënete, kalimi i gazetarëve si topa ping-pongu, sa në një televizion në tjerin, shoqërohet edhe me shndërrimin e tyre me pahir nga të djathtë në të majtë, të majtë të një lloji tjetër apo anasjelltas.

Për të vërtetuar më mirë pafuqinë, por edhe paaftësinë e gazetarëve në Shkodër për të kapur thelbin e një shqetësimi real, për më tepër në një ditë jo të zakonshme, po jap vetëm një shembull në ditën e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

Në një pjesë të mirë të qendrave të votimit në Shkodër nuk kishte kabina të izoluara votimi, sipas standardeve të ruajtjes së privacies, por vetëm minipodiume, që kushdo mund t’i shohë në zyrat e Postës Shqiptare. Në këtë mënyrë, ishte cenuar e drejta e fshehtësisë së votës dhe zgjedhjet në këto kushte duhej të anuloheshin qysh në minutën e parë nga vëzhguesit e çdo partie.

Askush nuk ishte ankuar për këtë shkelje të minutës së parë të privacisë ende pa filluar votimi. Por ajo që të bën të revoltohesh është se si ka mundësi që katër televizione lokale, që operojnë brenda vijave të verdha të qytetit të Shkodrës, nuk u ndalën fare në këtë shkelje flagrante, ndërkohë që ishin të vëmendshëm - deri në neveri - edhe në rast se ndonjë kandidati për kryetar bashkie, apo edhe thjesht ndonjë militanti politik në shërbim të fushatës do t’i shkelej këmba gabimisht nga kundërshtarët politikë?!

Pavarësisht se këtu kemi të bëjmë edhe me një moskokëçarje kolektive dhe me problem, që ne shqiptarët i vuajmë masivisht si shoqëri, kritikat më të mëdha në këtë rast u faturohen gazetarëve, sepse të paktën atyre të “krahut opozitar” do t’u shkonte edhe për shtat që ta trajtonin menjëherë në kohë këtë fenomen. Por, rendja sipas një plani–rutinë dhe të kopsitur ende pa filluar mirë punën bën që paaftësia apo edhe menefregizmi në emër të pagave jodinjitoze që marrin bën që të ulet këmbëkryq në prehrin e gazetarisë që bëhet në Shkodër. 

logo observatori per arkiv
*) Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian
 




Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit