SHKODER - Prokuroria e Shkodrës ka dërguar për gjykim dosjen për 4 zyrtarë të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre” në rastin e ndarjes së tokave.

Mësohet se nën akuzë janë zyrtarët: Lirim Nehanaj, kryetar i komunës Gruemirë, Asim Burgaj, ish-kryeregjistrues në Malësinë e Madhe, Fatmir Tepelija, përgjegjës i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Qarkut Shkodër dhe  Ruzhdi Handraj, me detyrë specialist i DAMT pranë Qarkut Shkodër.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, të nisura në fund të vitit 2013, rezulton se personat e lartpërmendur në kundërshtim me detyrat e tyre funksionale, kanë hartuar, miratuar dhe regjistruar prona të ndryshme në komunën Gruemirë në emër të personave që nuk u takonte tokë.

Sipas Prokurorisë, kjo ka krijuar mundësi reale për mbivendosje pronash, të cilat më pas mund të kthehen në burim konfliktesh ndërmjet banorëve të kësaj zone.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)