SHKODËR - Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka zhvilluar një vizitë në një thertore në Shkodër. Sipas tij, kjo siguron brenda së njëjtës strukturë rritjen e grumbullimin e gjësë së gjallë, therjen dhe përpunimin e mishit, që më pas dërgohet për tregtim për të përfunduar në tryezat e konsumatorëve.
 
Vizita e Ministrit Panariti në Shkodër është bërë në kuadrin e punës që ‘Task-forca’ kombëtare ka ndërmarrë për të zbatuar ligjin dhe standardet higjeno sanitare në tregtimin e mishit.
 
Duke vizituar këtë thertore të re në Shkodër, Ministri Panariti ka deklaruar se, prej kohësh Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me AKU ka nisur një aksion për të përmirësuar rrënjësisht mënyrën si mishi përpunohet dhe tregtohet në tregjet e Shqipërisë.
 
“Si pjesë e këtij aksioni, ne kemi rezultatet e para shumë inkurajuese, ku tashmë mund të themi se në qendrat e mëdha urbane kemi një disiplinim të procesit të përpunimit dhe tregtimit të mishit. Dhe sot unë jam këtu, në një prej bizneseve më model, se si trajtohet, përpunohet dhe tregtohet mishi”, ka deklaruar gjatë fjalës së tij Panariti.
 
“Jam i sigurt se shumë biznese të tjera kanë të njëjtat standarde, por ky biznesi i vellezërve Kimca këtu në Shkodër ka krijuar një traditë të konsoliduar, të suksesit dhe jam i impresionuar dhe i inkurauar që këtë model ta bëjmë të përhapur në qendrat urbane, në fabrikat e përpunimit dhe në gjithë tregjet e Shqipërisë”, përfundoi deklaratën e tij, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)