Zbulohen dhe shkatërrohen 14 parcela të mbjella me kanabis sativa në Shkodër dhe Malësi të Madhe. Policia lokale ka nisur aksionin për shkuljen dhe djegien e lëndëve narkotike, ndërsa ka nisur puna për identifikimin e personave që kanë bërë mbjelljen. Nga kontrollet e territorit të ushtruara nga Komisariatet e Policisë Shkodër dhe Malësi e Madhe, janë identifikuar dhe asgjësuar 14 parcela me lëndë narkotike në disa fshatra. Kështu në vendin e quajtur Fshati Palaj, Komuna Shllak, e rrethit Shkodër, janë gjetur dhe asgjësuar 6 mini parcela me 380 rrënjë kanabis sativa.

Ndërkaq në fshatin Vjerdhë, Bashkia Vau i Dejës, janë gjetur dhe asgjësuar 6 mini parcela me 499 rrënjë lëndë narkotike. Në vendin fshati Shkrel, Komuna Shkrel, në Malësinë e Madhe, janë gjetur dhe asgjësuar 2 parcela me 120 rrënjë kanabis sativa. Në total janë shkatërruar rreth 1 mijë rrënjë kanabis. Policia po punon për identifikimin e personave që e kanë mbjelle këtë lëndë narkotike, pasi parcelat janë pa pronar.