SHKODER- Një 67-vjeçar është vrarë dje në komunën Gur i Zi në Shkodër nga vëllai i nuses së djalit pas një debati që ka pasur me të për konfliktin e çiftit, i cili prej disa vitesh jeton në Amerikë. Policia ka arrestuar disa minuta më vonë autorin, i cili ka pranuar krimin dhe ka rrëfyer motivin. . (Ne foto: Autori i vrasjes Ermir Gjergji)
 
Sherri mes një çifti në Amerikë ka sjellë një krim të rëndë në Shkodër, ku është vrarë babai i dhëndrit, i cili është qëlluar me breshëri automatiku nga vëllai i nuses. Këto janë dyshimet e para për vrasjen e ndodhur pasditen e djeshme në komunën Gur i Zi në Shkodër, ku ka mbetur i vrarë Zef Ejlli, 67 vjeç, ndërkohë që rreth 30 minuta më vonë, policia ka vënë në pranga të dyshuarin Ermir Gjergji, 29 vjeç, me banim në fshatin Rrenc të të njëjtës komunë, ku ndodhi krimi.

VRASJA
 Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:30, në fshatin Gur i Zi, kur viktima bashkë me disa persona të tjerë, po loznin domino në një ambient, ku rrinin çdo ditë. Por, gjatë lojës, aty është afruar vëllai i nuses së djalit të Zef Ejllit, Ermir Gjergji, i cili ka filluar të zihet me të, duke u fyer me fjalë të ndryshme. Kaq ka mjaftuar dhe 29-vjeçari është larguar për disa metra, për tek makina e tij, nga e cila ka nxjerrë një automatik “Kallashnikov”. Pa paralajmërim, ai ka qëlluar me breshëri ndaj vjehrrit të motrës, i cili ka marrë plagë të shumta në trup. Menjëherë pas këtij krimi, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të pranishmit e tjerë kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë Zef Ejllit, të cilin e kanë nisur me urgjencë për në spital. Megjithatë, Ejlli ka ndërruar jetë rrugës, ndërkohë që dëshmitarët kanë njoftuar policinë.

HETIMET
Menjëherë pas telefonatës në sallën operative, forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, por edhe të FNSH-së kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, të cilat kanë nisur hetimet e mëtejshme për vrasjen e 67-vjeçarit. Nga dëshmitë e para, që grupi hetimor ka marrë në vendin e ngjarjes, është mësuar se krimi ka ardhur nga një konflikt i momentit, ndërkohë që është identifikuar dhe shpallur në kërkim i dyshuari për vrasje. Policia tha se për kapjen e tij ka ngritur disa postblloqe dhe brenda gjysmë ore ka arritur të vendosë në pranga të dyshuarin si dhe ka sekuestruar armën e krimit.

Dëshmia
Menjëherë pas arrestimit, policia ka marrë në pyetje të dyshuarin, i cili ka pranuar vrasjen dhe ka treguar se çfarë kishte ndodhur mes tij dhe 67-vjeçarit. “Motra ime, Albina Gjergji është martuar me Arben Ejllin, i cili është djali i Zefit. Të dy bashkë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhëniet midis tyre janë të acaruara. Për këtë arsye, motra ime e ka denoncuar disa herë bashkëshortin e saj, si në Shqipëri, ashtu edhe në Amerikë, por ata nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Në këto kushte kam kërkuar ndërhyrjen e babait të dhëndrit, por ai më fyeu dhe unë e vrava”, mësohet të jetë shprehur para oficerit të policisë gjyqësore Ermir Gjergji, nga fshati Rrenc i komunës Gur i Zi në Shkodër. Burimet policore thanë se në këto kushte kanë arrestuar të dyshuarin, i cili ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

VRASJET
Në ditët e fundit në vend janë regjistruar disa vrasje, më e fundit prej të cilave ishte ajo e një vajze 17-vjeçare që u vra me armë gjahu nga i fejuari i saj 28 vjeç. Ngjarja ndodhi mesditën e së hënës në lagjen “Çipure” të qytetit të Peshkopisë. Viktima, shtetasja Mbaresa Torba, u gjet e pajetë në kasollen e bagëtive në shtëpinë e gjyshit të saj. Kjo ishte vrasja e tretë që ndodhte në Dibër brenda pak ditësh. Ditën e shtunë një 24-vjeçar vrau gruan e vëllait në shtëpi e më pas qëlloi mbi veten.          

Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)