Aksidenti në aksin nacional Lezhë-Shkodër u shënua rreth orës 01:00- 02:00 të së martës (22 tetor 2013) ndodhi kur automjet tip ‘BMW’ me targë SH 1818 D është përplasur me një kamion me targa PU 14 63 A, ku po transportoheshin lëndë drusore.
Përplasja ka rezultuar fatale për 4 adoleshentët që ndodheshin në makinë, Raelv Dyli, (17 vjeç) Xheni Anamali, Ledio Pirani, Orlen Meçe, të tre 18 vjeç, të cilët kanë humbur jetën menjëherë. Ndërkohë drejtuesi i mjetit, "BMW", Osman Merja, 18 vjeç, ndërroi jetë në spital mbrëmjen e sotme.
Drejtuesi i kamionit, Preng Ndreca, 43 vjeç është arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi akuzohet si shkaktar i këtij aksident tragjik.
NDËRRON JETË NË SPITAL EDHE ADOLESHENTI I PESTË
Ndërron jetë në spital edhe Osman Merja, 18 vjeç, shoferi i makinës "BMW" ku udhëtonin të rinjtë e këtij aksidenti të rëndë. Ai ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme.
Merja ishte shtruar në spital me plagë të shumta, duke mundur të mbijetojë vetëm disa orë pas aksidentit tragjik të ndodhur në vendin e quajtur, Kryebushat. Ai ishte në gjendje tepër të rëndë dhe mjekët kanë njoftuar pak më parë, ndarjen e tij nga jeta.
Edhe transportimi i tij drejt Spitalit të Traumës, për një ndihmë më të specializuar ka qenë i pamundur për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.
Nga spitali i Shkodrës bëhet i ditur se edhe babai i Osman Merjas, Vildan Merja ndodhet në gjendje të rëndë nga tronditja e madhe, pasi i biri ndërroi jetë,
(Në foto: Osman Merja, viktima e pestë e tragjedisë së Shkodrës, i cili vdiq në spital).
KRYEMINISTRI RAMA NGUSHELLON FAMILJET E VIKTIMAVE
Pas aksidentit tragjik të ndodhur në Shkodër, kryeministri Edi Rama ka premtuar se do të merren masa të menjëhershme për shmangien e aksidenteve. Në një shënim në profilin e tij në Facebook, kryeminstri Rama ka ngushëlluar familjet e katër viktimave të mëngjesit të sotëm.
“Janë rrokullisur drejt së përtejmes, shumë më shpejt se vrapi i makinave që i sosi frymën, jetët e katër djemve të rinj nga Shkodra, që zhytet në zi me vuatjen e katër familjeve, të cilat nuk ka fjalë t’i ngushëllosh. Por, unë dua të shpreh, në radhë të parë, si prind hidhërimin tim tejet të thellë për tragjedinë, që mori katër jetë të reja.
Si përfaqësues i shtetit shqiptar, dua të shpreh vendosmërinë për të marrë në vijimsi të gjithë masat e nevojshme, që do të parandalonin, deri aty ku është e mundur, tmerre të tilla dhe aksidentet rrugore, që vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh për jetët e qytetarëve tanë.
Durim e forcë paçi, dua t’u them si bashkëqytetar katër familjeve. Qoftë i ndritur vendi e kujtimi i djemve tuaj”, ka shkruar kryeministri Edi Rama në Facebook.
BASHA NGUSHËLLON FAMILJET E VIKTIMAVE TË AKSIDENTIT
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ngushëlluar familjet e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi sot në Shkodër.
“Lajmi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Raevlit, Xhenit, Ledios dhe Orlendit më ka tronditur pa masë. Nuk ka fjalë as ngushëllim që mund të lehtësojë dhimbjen e familjarëve të katër të rinjëve që u ndanë tragjikisht nga jeta. Jam sot pranë jush në dhimbjen dhe zinë që ka pllakosur familjet tuaja.
Zoti u dhëntë force dhe kurajo për të përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar Basha në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Bashkia shpall ditën e sotme ditë zie dhe ndërpret të gjithë aktivitetet kulturore. Shkodra në zi
Ndërkohë zemra e nënës nuk ka mundur të durojë lajmin e humbjes së djalit të saj Raelv. Pëson infarkt nëna e një prej 4 adoleshentëve të vdekur
ADOLESHENTET PO KTHEHESHIN NGA NJE DITELINDJE
Të rinjtë ishin duke u kthyer nga një ditëlindje në Tiranë ku kishin qëndruar për disa orë dhe më pas kishin vendosur të ktheheshin në Shkodër. Pranë Kryebushatit, automjeti me të cilin po udhëtonin, tip BMW është përplasur me kamionin me targa Puke. Kalimtarët e rastit kanë tentuar t'ju vijnë në ndihmë menjëherë 4 të rinjve por përpjekja e tyre ka qënë e kotë pasi adoleshentët kishin gjetur vdekjen e menjëhershme.
(Në foto: Viktimat e aksidentit dhe kamioni që u përplas me automjetin tip BMW Foto të tjera )
HETIMET: SHKAK I AKSIDENTIT DYSHOHET SHPEJTESIA
Në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi hetimor dhe forcat e policisë rrugore të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të rëndë që i mori jetën 4 të rinjve. Policia ka arrestuar drejtuesin e kamionit i cili mendohet se ka ecur me shpejtësi duke mos respektuar rregullat e qarkullimit. Ai akuzohet si shkaktar të aksidentit.
Dyshohet se edhe mjeti i të rinjve ka qënë duke lëvizur me shpejt se sa normat e lejuar dhe pikërisht ne kryqëzim janë përplasur njëra me tjetren. Ekziston dhe mundësia se të rinjtë mund të kishin konsumuar alkool.
(Foto: 4 viktimat e aksidentit tragjik në Shkodër)
(Lajmi fillimisht u publikua ne oren 07:00 dhe u perditesua ne vazhdim)
Redaksia online
(sg/v.gj/mag/shqiptarja.com)