SHKODËR, 30 Gusht/ATSH-Gaspër Marku/- Zëvendësministri i Sportit Rauf Dimraj, prej dy ditësh ndodhet në qytetin e Shkodrës, në kuadrin e një turi të ndërmarrë në qarqet kryesore të Shqipërisë në lidhje me prezantimin e platformës që Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka publikuar për ringritjen e edukimit fizik në shkolla.
Gjatë referimit të gjatë në auditorin e mbushur me mësues të edukimit fizik të tre rretheve të qarkut verior, Dimraj foli për rëndësinë që ka për edukimin e brezit të ri, lënda e edukimit fizik.
Dimraj theksoi se, nisma e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka ardhur në kohën e duhur për të ndërhyrë në shkollat shqiptare, në mënyrë që procesi i edukimit fizik të marrë vendin e merituar dhe të vlerësuar.
Ndër të tjera, ai shtoi se krahas programeve dhe literaturave bashkëkohore të siguruara nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, një rol të veçantë do të luajnë edhe shtimet e orëve të programit edukimit fizik javor në shkollat shqiptare. /m.m/