Forcat e policisë së Shkodrës asgjësuan 3468 rrënjë kanabis sativa, të mbjella në 19 parcela tokë pa pronar. Zëdhënësi i shtypit i policisë së qarkut Shkodër, Bardhyl Saliu, bëri të ditur për ATSH-në se 297 rrënjë u sekuestruan pranë vendit "Mali Prroi i Poligonit", Laç Vau-Dejës, të mbjella në dy parcela, 3006 rrënjë në fshatin "Benë", Komuna Shllak, në 16 parcela të mbjella dhe 165 rrënjë të tjera të mbjella në një parcelë pranë vendit të quajtur, "Pylli Nderluma", Komuna Iballë Pukë.

Në të njëjtin njoftim, policía e Shkodrës bën të ditur edhe arrestimin e një 57 vjeçarit Mark Maçi banues në Fshatin Ças, Komuna Velipojë Shkodër, pasi akuzohet për vepren penale "Kultivim i bimëve narkotike". Sipas policisë, Maçi ka qenë më parë i shpallur në kërkim nga policia për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike"./ATSH/