SHKODER - Një i plagosur dhe një i lënduar rëndë është bilanci i ngjarjes së ndodhur në fshatin Hot i Ri në rrethin e Shkodrës pasditen e së hënës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, kur Agustin Nika ka qëlluar mbi bashkëfshatarin e tij, Albert Shkëmbin dy herë me pistoletë duke e lënë atë të plagosur.

Albert Shkëmbi ka qenë në një lokal ndërkohë që ka nisur të debatojë me Shkëmbin, duke degjeneruar më tej në konfrontim fizik, teksa Agustin Nika e ka qëlluar me mjete të forta Shkëmbin. Pasi është qëlluar dhe ka marrë plagë në kokë, Albert Shkëmbi është larguar nga klubi drejt shtëpisë së tij ku ka marrë armën e zjarrit tip pistoletë TT pa leje, me të cilën ka qëlluar në drejtim të bashkëfshatarit të tij duke e lënë të plagosur rëndë.

Në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra forca policie nga komisariati i Shkodrës ndërsa Nika është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet në reanimacion pasi plumbat e kanë goditur në kokë dhe kraharor. Në spitalin e Shkodrës është dërguar edhe Albert Shkëmbi pasi ka marrë plagë në pjesën e kokës për shkak të goditjes me mjete të forta.

Ndërkohë kanë nisur hetimet ndërsa forcat e policisë të udhëhequr edhe nga drejtori i Policisë së Shkodrës Aleks Hajdari kanë zhvilluar një sërë kontrollesh në banesat e të afërmeve të përfshirë në konflikt nga frika e ndonjë incidenti tjetër në mes dy palëve.

(Gre.M/Shqiptarja.com)