Ka nisur ndërhyrja emergjente për vendosjen e një ure të re hekuri në Bleran, pas dëmtimit të urës ekzistuese, i cili kishte lënë të izoluara dy lagje me rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe bllokim të aksesit drejt varrezave të fshatit.
Punimet po realizohen në kohë rekord falë bashkëpunimit institucional mes Bashkisë Shkodër, Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Prefekturës së Qarkut Shkodër, nën koordinimin e drejtorit të përgjithshëm të AKMC-së, Haki Çako. Ndërhyrja po kryhet nga Batalioni Xhenio i Forcave të Armatosura.
Në nisje të punimeve, në terren ishin kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, drejtori i përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, si dhe Arben Rira, komandant i mbikëqyrjes së urave, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.
Kryetari i Bashkisë theksoi se reagimi ka qenë i menjëhershëm për të mos lënë të izoluar komunitetin, duke nënvizuar se, pavarësisht reshjeve intensive dhe prurjeve maksimale të ditëve të fundit, situata në territorin e Bashkisë Shkodër është menaxhuar me përgjegjësi dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet.
Autoritetet konfirmojnë se, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, situata në territor është mbajtur nën kontroll, ndërsa monitorimi do të vijojë deri në normalizimin e plotë.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot







