Shkodër- Policia ka arrestuar 19 vjeçarin i cili dogji 2 makina të parkuara në qytetin e Shkodrës, ngjarje e ndodhur në lagjen 'Iliria' më 9 dhjetor. I riu është identifikuar si Klavdo Macaj.
Ndërkohë gjendje të lirë do të hetohet edhe një 16-vjeçar, i cili dyshohet si bashkëpunëtori i të riut.
Gjatë kontrolleve të kryera në banesën e 19 vjeçarit, blutë gjetën dhe sekuestruan veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri mitraloz, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kanabis"
"Si rezultat i veprimeve të thelluara për zbardhjen e djegies së qëllimshme të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D., ndodhur mëngjesin e datës 09.12.2025, në lagjen “Iliria”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Traces”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autor i djegies së dy automjeteve. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në djegien e automjeteve.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri mitraloz, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje", informoi sot policia.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente











