TIRANË- Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja rezulton të ketë qenë drejtuesi i një prej grupeve që u goditën me urdhër të SPAK, pasi kishin trafikuar 2.4 tonë marjuanë e kokainë drejt vende të Bashkimit Europian. Ky fakt del nga dosja hetimore e SPAK, të cilën e disponon Report Tv, Keti Banushi. Grupi hetimor ka arritur të zbardhë rolet dhe mënyrën se si funksiononin 3 prej grupeve, ku në krye të njërit qëndronte Rexhep Rraja i cili ishte porositësi dhe organizatori i trafikimit të 236 kg bimë narkotike marijuanë në Kapikile të Turqisë më datë 26 janar 2021.
Në dosjen e SPAK janë zbardhur të gjitha bisedat mes anëtarëve të grupit, përplasjet mes tyre pas sekuestrimit të drogës në doganë, deri tek dyshimet për tradhtarë mes radhëve të tyre. Anëtarë të grupit ishin edhe dy pjesëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja pronari i gurores në Borizanë për të cilën u dhunuan dy kushërinjtë Maja, si edhe Gazmir Rraja. Ndërkohë, anëtarët e tjerë ishin Bujar Sefa (alias Xaka) Agim Nina (alias Lorenc Selmani) Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që ka transportuar lëndën narkotike me kamion.
Agim Nina ishte personi që mbante kontakt të drejtpërdrejt me shoferin e kamionit, i cili vazhdimisht e informon Jani Çavon dhe më pas anëtarë të tjerë të grupit mbi vendndodhjen e shoferi, duke i dërguar me foto komunikimet që ka patur me shoferin në aplikacionin "WhatsApp", i cili e vë në dijeni për vendndodhjen, mjetet që kishte përpara në radhë në pikën kufitare Edirne-Kapikule, skanerin që do i bëhej kamionit dhe më pas për kontrollin fizik të mjetit, fakt për të cilin ndihej i shqetësuar.
Grupi kishte organizuar gjithçka në detaje për të trafikuar lëndën narkotike në Turqi përmes një kamioni, por në pikën e kalimit kufitar diçka nuk shkoi sipas planit. Kamioni me targa shqiptare, brenda së cilit ishte fshehur droga në pjesën e tavanit, kishte kaluar skanerin pa probleme, por Policia e Turqisë e kishte ndaluar kamionin prej mbrëmjes së 26 janarit dhe pritej t’i ushtrohej një kontroll i imtësishëm.
Mëngjesin e datës 27 janar 2021, Gazmir Rraja i shkruan Bujar Sefës se është vënë në dijeni nga drejtuesi i kamionit, se kishte hyrë në ambientet e doganës turke, por sipas tij, mjetin e kanë futur për kontroll fizik, dhe nuk kishte dalë nga ambientet e doganës, ndërsa drejtuesi i mjetit pas atij momenti nuk ka kthyer asnjë lloj përgjigje.
“O vëlla, ajo rruga që patëm nis ka hy mbrëm në dogan nga ora tetë e darkës, na lajmëroi se jam tu hy, ene jan tu më fut në kontroll fizik, tha ai shoferi mo. I ka thën atij pronarit të kompanisë, edhe ma çoi ai lokacionin ene bisedat e të gjitha, domethën ka hy mbrëm në tetë të darkës e nuk ka dale ala. As nuk ka kthe përgjigje asnjë lloj gjëje. Ka çu rob ai sot, e ka ра kamjoni është aty në dogan, mirëpo as në lajme ska dale asnjë gjë, deri nesër tha ju sqaroj”, i shkruan ai.
Gazmir Rraja i shkruan Sefës se me 99% drejtuesi i kamionit është arrestuar, por ende asgjë nuk ka dalë në lajme.
"Nëntëdhjet e nëntë përqind ne menojm se ka ra, a e kupto, se dersa ka hy mbrëm në tet të darkës e ska dal ala prej kontrollit, do të thotë se e kan kap. Mendoj se ka ra, po nesër mo sqarohet sa të dal nëpër media nëpër gjona, të tregojnë edhe lajmet, të gjitha mo, ta shohim se sdim gjë as ne për zotin ala", vijon ai.
Një ditë më pas, më 38 janar 2021, Gazmir Rraja i shkruan Sefës se kamioni ishte kapur pasi shoferi kishte marrë në telefon nusen e vet dhe e kishte njoftuar në lidhje me ndalimin e tij.
Gazmir Rraja: Kishte mor shoferi nusen e vet ne tel I kishte thon me kan kap. Te shofim sa ta japin dhe lajmet atje.
Bujar Sefa: gjynah per shoferin vlla
Gazmir Rraja: Se nuk e kan qit hala dhe
Bujar Sefa: ku dro skeni pas fut shum
Gazmir Rraja: Po pra po gjynaf i shkreti Te gjith nga pak Kina pas
Lajmi në përditësim....

Rexhep Rraja
Report Tv ka siguruar dosjen e SPAK, që goditi 3 grupe kriminale të trafikut të drogës, mes tyre edhe të fisit Rraja, që drejtohej nga Rexhep Rraja. Ky i fundit në bisedat me anëtarët e grupit njihej me dy pseudonime "XRI", "New Sky". Bujar Sefaj njihej si “Venecia”, Përparim Rraja si “Caca”, Sokol Qaja njihej si “Hermano” etj.
Ndërkohë, dy anëtarë të grupit me pseudonimet "istanbul new" apo "vikings" ende nuk janë identifikuar nga SPAK.
Komente












