Shkodër- Dy tërmete të njëpasnjëshme janë regjistruar pranë Shkodrës, me epiqendër në Bushat dhe Ulqin, pasditen e sotme (24 Janar).
Sipas të dhënave paraprake të Institutit të Gjeoshkencave, lëkundjen janë regjistruar në orën 14:39:00, me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter.
“Epiqendra u regjistrua në Velipojë, në qarkun e Shkodrës, me një thellësi prej 15.8 km. Lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat përreth epiqendrës”, bëhet me dije nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, që i referohet të dhënave të IGJ.
Lëkundjet u ndjenë edhe në Pukë dhe Lezhë. Fatmirësisht nuk raportohet për dëme materiale apo viktima. Lëkundjet sizmike janë ndjerë nga banorët e zonave përreth, por situata duket e qetë. Autoritetet po monitorojnë zhvillimet për çdo rast të mundshëm.
Sipas komunikimeve paraprake me përfaqësuesit e pushtetit lokal, strukturat e mbrojtjes civile të Bashkisë Shkodër dhe Qarkut Shkodër nuk raportohen dëme materiale. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në ndjekje të situatës.