Shkodër, eksploziv makinës  së policit
hetohet pista për shkak të detyrës

Shkodër, eksploziv makinës  së policit<br />hetohet pista për shkak të detyrës
SHKODËR - Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur sot në mbrëmje qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:45 të së hënës, kur mësohet se ka shpërthyer makina e një ish-efektivi të policisë kriminale në qytetin e Shkodrës dhe aktualisht efektivit të rrugores në Lezhë.  

Si pasojë e shpërthimit është plagosur rëndë Kujtim Çardaku, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore nga e rëndë më pas është përmirësuar, tksa ndodhej i shtruar ne reanimacionin e spitalit rajonal.

Çdo gjë ka ndodhur në momentin kur Çardaku, pasi ka dalë nga një lokal aty pranë, është futur brenda automjetit të tij dhe ka tentuar ta ndezë atë.

Në këtë moment është dëgjuar edhe shpërthimi i fuqishëm.  Forca shtytëse i ka shkaktuar shumë dëme fizike Çardakut, ndërsa dëshmitarët në vendngjarje  e kanë nisur për në spital, ndërkohë që efektivi i policisë rrugore ka mbetur i plagosur rëndë në pjesën e poshtme të trupit.

Pa kaluar shumë kohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e policisë së rendit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë së bashku me grupin hetimor. Policia ka komunikuar në rrugë operative me shumë të pranishëm në vendin e ngjarjes, për të mbledhur sa më shumë informacion për këtë atentat.

Nga grupi hetimor bëhet e ditur se Çardaku sapo ishte kthyer nga Lezha, ndërsa blutë e Shkodrës i kanë shtrirë hetimet më tej për këtë rast, duke parë gjithë të kaluarën e ish-efektivit të policisë kriminale dhe kans nisur hetimet në disa pista njëkohësisht.

Pista kryesore mbetet ndonjë konflikt i mundshëm i Çardakut për shkak të detyrës në Lezhë. Gjithashtu po hetohet për ndonjë konflikt të mundshëm të tij gjatë kohës që ushtronte detyrën në policinë kriminale në Shkodër.

Megjithatë, deri më tani nuk dihen ende shkaqet zyrtare të shpërthimit apo lënda plasëse, e cila është përdorur, por dyshohet të ketë qenë C4 dhe gjithashtu dyshohet se shpërthimi është kryer me eksploziv të telekomanduar.

shkoder atentati

shkoder atentati
(Automjeti i shpërthyer në vendngjarje).

Magdalena Alla
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)