Shpresoja që pas 13 vitesh, ashtu siç u trumbetua, procesi relativisht i bashkëqytetarëve të mi të FRPD të ishte jo vetëm i ndershëm por edhe efektiv, demokratik, qytetar dhe mbi të gjitha i realizuar. Të rinjtë demokrat të qarkut Shkodër më shumë se një garë brenda llojit dukeshin ose në fakt treguan se kishin një dualitet mes grupimesh e kundërshtarësh që s’mund të them urrenin por sigurisht nuk donin njëri-tjetrin.

Fillimisht do ta nis me diktaturën e shfaqur në organizimin e platformave që gjoja shfaqën tre kandidatët. Unë si një i ri, edhe pse jo pjesë e FRPD apo një formacioni tjetër politik, më interesonte të dëgjoja konkretisht se cilat ishin idetë, platformat dhe strategjitë e secilit prej kandidatëve. Asnjë prej tyre, Nebiaj, Salianji dhe Këlliçi (këto të dy edhe i kam intervistuar dhe e kam të vërtetuar) nuk dhanë përpara të rinjve që i kërkonin votën se cila do të ishte rruga që do ndiqnin. Çfarë do të bënin ata për t’i dhënë forcë zërit të të rinjve të FRPD që gjithë këto vite është shtypur nga peshqit e mëdhenj të PD.

Pa kaluar në fyerje sepse nuk është ky qëllimi, e vetmja gjë me mend ishin fjalë e Orielës kur tha se ”ne të rinjve na kanë përdorur dhe kur kanë marrë votat dhe punën tonë, s’na kanë thënë as faleminderit”. Oriela e kishte kuptuar ashtu siç nuk kam dyshim edhe dy djemtë e tjerë të shkolluar të Tiranës Salianji dhe Këlliçi. Ama qoftë Oriela por edhe dy të tjerët nuk treguan se si do ia bënin për ta larguar këtë lloj diktatura apo bllokade që gjithnjë PD i ka bërë FRPD-së duke mos i lëshuar pe më shumë se duhet nga frika e rrëmbimit që ka shpirti rinor në përgjithësi.
 
Kandidatët e FRPD kishin nga vetëm 5 minuta për të folur supozohej përpara 4100 anëtarëve që FRPD ka në të gjithë qarkun Shkodër. Po çfarë mund të thotë një kandidat për vetëm 5 minuta, asgjë. Kuptueshëm unë e di se pse ndodhi kjo, për t’i dhënë më shumë shpejtësi procesit të votimit por kushtëzoi kandidatët ashtu siç u kuptua se gjithçka në këtë aspekt ishte formale. Pas fjalimit 5-minutësh të gjithsecilit, gjoja tre kandidatët kishin rënë dakord që mos t’i bënin pyetje njëri-tjetrit në këtë përballje nëse mund ta quajmë të tillë. Pse kjo është demokracia? Absolutisht jo. Salianji si një politikan që politikën e ka në dellin e tij më shumë se dy të tjerët, pavarësisht se si do vendosin votat, prishi paktin dhe me petkun e politikanit pyeti Orielën, kandidaten më pak të mundshme për të fituar, duke shmangur rivalin e ti të vërtetë Këlliçi, nëse kishte apo jo dorë lidershipi i PD Lulzim Basha në këtë proces? Një pyetje retorike që në sallë nuk është se nuk krijoi ilaritet.

Dhe cila mund të ishte përgjigja, se Oriela do thoshte, po Basha është përzier?! Jo ish-zëdhënësja, teksa Këlliçi nënqeshte, tha se nëse ka ndonjë prej dy kandidatëve të tjerë që ka mbështetjen e Bashës është i ftuar për t’u ngritur dhe për ta thënë atë gjë. Kjo përgjigje kishte përbrenda shumëçka edhe pse asnjë prej dy kandidatëve të tjerë nuk pati guximin që të pranojë se ka mbështetjen e Bashës. E vetmja pyetje ishte ajo ndërsa më të rëndësishmit, votuesit e FRPD nuk patën asnjë mundësi që të drejtonin pyetje çka do të thotë se nuk është gjë tjetër veçse një diktaturë e pastër e injektuar në këtë proces. Pra të rinjtë votuan pa pyetur fare ata që do i drejtonte në të ardhmen e shpejtë.
 
Procesi i dështuar
Procesi është një dështim total për FRPD të paktën në degën e Shkodrës për tre kandidaturat. Këtu zhveshi totalisht nga përgjegjësitë kryetaren aktuale Gjorgjeta Hila sepse makinacionet dhe shkopinjtë nën rrota nuk kishte se si t’i eliminonte. Për më tepër që Gjorgjeta kishte shumë pak në dorë në gjithë këtë proces. Këtë e them me pastërti. E quaj të dështuar këtë proces sepse në total duhej që të votonin 4100 anëtarë që janë në listat e FRPD për qarkun Shkodër. Nuk votuan as gjysma. Votuan vetëm 1300 anëtarë çka do të thotë se votëbesimi për Belind Këlliçin që mori nga Shkodra nuk është aspak real, i vërtetë dhe bindës por formal dhe një votëbesim i dobët që nuk merr me vete përkrahjen e të rinjve.

Pjesëmarrja me vetëm 1300 anëtarë tregon dy anë. Ose mungesën e interesit dhe indiferentizmin e të rinjve demokrat ndaj këtij procesi që ashtu si shumëkush edhe unë e quaj të dyshimtë dhe jo të ndershëm e demokratik. Ose lista e FRPD është fiktive dhe një pjesë e madhe e emrave janë vetëm për numër. Nuk e di se si ta marr atë që thuhet për kryetarin e PD Shkodër Ramiz Çoba se netët e fundit ka telefonuar apo edhe ka takuar figurat kyçe që kanë ndikim tek të rinjtë e tjerë duke i kërkuar që të votojnë Këlliçin. Çoba do ta quaj mbase shpifje këtë por këtë herë nuk do bëj gjoja e nuk do më thotë ndonjë gjë sepse personat që ia ka kërkuar këtë gjë nuk janë të pakët.
 
Të rinjtë e FRPD “dhunojnë” teatrit “Migjeni”
Teatri “Migjeni” u zgjodh si vendi ku u organizua procesi i votimit për kandidatët e FRPD. Të rinjtë që gjoja janë e ardhmja pa mëdyshjen më të vogël them se dhunuan teatrin ”Migjeni”. Gjatë orëve që qëndruan nuk respektonin ligjin anti-duhan teksa me qindra cigare u konsumuan brenda sallës apo në mjediset e tjera të brendshme të teatrit. Jo vetëm kaq. Nëse nuk mund të rrinin pa duhan, mbeturinat e hedhura kudo patjetër që patën mundësi që t’i shmangnin. Jo. Zgjodhën që të dhunojnë teatrin e Shkodrës duke i lënë kudo. Një turp i madh për ata që na qenkan politikanët e ardhshëm. Kudo teatri u ndot dhe pas daljes së të rinjve dhe përfundimit të procesit votimit, teatri ngjante më shumë me një landfill sesa tempull kulture.

frpd shkoder
frpd shkoder
frpd shkoder

frpd shkoder

frpd shkoder

frpd shkoder

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)