SHKODER - Pas rreth 24 orë kërkimesh, polumbarët e forcave RENEA kanë bërë të mundur gjetjen e trupave të pajetë të dy kushërinjve. Alfons Shtjefen Kolndrekaj, 20 vjeç dhe Paskualino Kol Kolndrekaj, 22 vjeç janë gjetur brenda në makinë, në ujërat e lumit Drin. Mësohet se automjeti tip "Golf 4" me targa AA 587 BD, ku udhëtonin dy të rinjtë ka dalë nga rruga në aksin Shkodër-Tiranë dhe ka rënë në ujërat e lumit Drin.

Aksidenti i rëndë mendohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 dhjetorit. Polumbarët e forcave RENEA të Policisë së Shtetit, kanë mbërritur në Shkodër për gjetjen e trupave të dy të rinjve në ujërat e lumit Drin, pranë vendit të quajtur "Kthesa e Beltojës". Pas disa orë kërkimesh, efektivët e RENEA-s kanë arritur të gjejnë në fillim automjetin tip “Golf 4” me ngjyrë blu me targë AA 587 BD dhe më pas dy trupat e pajetë të dy të rinjve.

Dy kushërinjtë Alfons e Paskualino Kolndrekaj kanë qenë duke u kthyer në shtëpi, në fshatin Stajkë, kur mendohet se makina e tyre ka dalë nga rruga pikërisht tek kthesa e Beltojës, (fshati Beltojë, Komuna Bërdicë të rrethit Shkodër) dhe ka rënë në ujërat e lumit Drin. Mbrëmjen e djeshme efektivët e policisë së qarkut të Shkodrës konfirmuan se të dy të rinjtë, banues në fshatin Shtajkë, Komuna Bushat e Rrethit Shkodër ishin duke udhëtuar me automjetin që u rrëzua në lumë.

Rreth orës 16:30 minuta të ditës së djeshme efektivë të policisë kanë nisur kërkimet. Gjatë mbrëmjes rreth orës 21:00 në vendngjarje kanë mbërritur edhe polumbarë të forcave RENEA për gjetjen e mjetit, duke i ndërprerë kërkimet si shkak i errësirës, për të rifilluar rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm. Kërkimet intesive rezultuan me gjetjen e makinës dhe trupave të pajetë të dy kushërinjve. Një grup hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, në vendin e quajtur kthesa e Beltojës kanë humbur jetën 6 persona, segment i cili përcaktohet si një nga akset më të rrezikshme për automjetet.

TRAGJEDIA DJE
Ditën e djeshme familjarët bënë me dije se i kishin humbur kontaktet me dy të rinjtë rreth orës 03:00 të mëngjesit. Rreth orës 06:30 ato i janë drejtuar policisë së Shkodrës për të marrë informacion për fatin e dy të rinjve, pasi askush nuk përgjigjej në telefonat e tyre, pasi ishin të padisponueshëm. Pas bluve të Shkodrës familjarët janë interesuar edhe në policinë e kryeqytetit, pasi kanë dyshuar që të rinjtë kanë qenë në Tiranë për të festuar natën e Krishtlindjeve, por edhe atje nuk kanë gjetur përgjigje, ndërkohë që edhe në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, nuk rezultoi që ky mjet me këtë targë të ketë dalë jashtë vendit, derisa është gjetur në ujërat e lumit Drin, ashtu siç dhe ishte dyshuar.

Lajmi fillimisht u publikua më 20:00 të 25 dhjetor 2012 dhe u përditësua në orën 14:30 të 26 dhjetor 2012.

Redaksia Online

(Gre.M/sg/eç/Shqiptarja.com)