SHKODER - Kanë qenë duke qëndruar brenda të njëjtit lokal por kanë nisur të debatojnë njeri me tjetrin dhe më pas kanë përdorur armët në qendër të qytetit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 pranë godinës së Fakultetit të Shkencave Natyrore në qytetin e Shkodrës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy grupe të rinjsh kanë dalë nga njëri prej klubeve që ndodhet në këtë zonë duke debatuar me zë të lartë dhe më pas kanë nisur të qëllojnë në drejtim të njëri tjetrit me grushte ndërsa dy persona kanë nxjerrë armët tip pistoleta dhe kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit.

Fatmirësisht nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pasur të lënduar apo viktima ndërsa autorët pasi kanë qëlluar janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes që fatmirësisht nuk shënoi ndonjë të plagosur.

Vendi ku ka ndodhur ngjarja është mjaft i frekuentuar për shkak se në të kalojnë studentët, por edhe pse ka shumë lokale nate, ndërsa kalimtarët e rastit dhe banorët e zonës përreth kanë mbetur të shokuar nga shkëmbimi i zjarrit.

Forcat e policisë kanë nisur hetimet ndërsa janë duke mbledhur dëshmitë për zbardhjen e ngjarjes dhe prangosjen e autorëve


pedonalja shkoder shkembim zjarri naten
(Foto nga vendngjarja)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)