SHKODËR - Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur në stacionin e ujësjellësit në Bërdicë të bashkisë Shkodër. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur transformatorin e rrjetit elektrik të këtij stacioni duke lënë pa ujë afro katër mijë banorë të katër fshatrave të Bërdicës.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet.
Inxhinieri i shoqërisë rajonale të ujësjellës kanalizime në Shkodër Lazër Pema thotë se dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm por shumë shpejt do merren masa për rikthimin e ujit të pijshëm në katër fshatrat e Bërdicës.
Inxhinieri Pema ka një apel për gjithë banorët e kësaj zone por edhe për gjithë të tjerët që të mos dëmtojnë stacionet e ujësjellësave duke qenë se ky është një rast i përsëritur. Brenda tre viteve të fundit ky transformator elektrik në stacionin e ujësjellësit të Bërdicës është vjedhur tri herë.
Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Shkodër është duke bashkëpunuar me policinë e shtetit për të indetifikuar autorët e kësaj ngjarje në stacionin e ujësjellësit në Bërdicë ndërsa brenda pak ditësh pritet normalizimi i situatës për riparimin e transformatorit të dëmtuar dhe rikthimin e ujit të pijshëm.