SHKODER - Përmbytjet e muajit mars në Shkodër shkaktuan dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Shkodër, Gëzim Hardolli, aktualisht gjenden nën ujë 3 275 hektare tokë, ku 1 895 hektare janë tokë e mbjellë.

Hardolli thotë se dëmin më të madh kjo përmbytje e ka bërë në serat e fermerëve ku janë të përmbytura 7 hektare me sera të mbjella me perime.

Dëme të mëdha u shkaktuan edhe për blegtorinë, pasi janë dëmtuar të mbjellat me foragjerë, që shërbejne si baza kryesore ushqimore e blegtorisë.

Zonat e prekura më shumë nga përmbytjet janë Oboti ne komunën Ana e Malit me 1 250 hektar tokë, Komuna e Dajçit me 800 hektar, Komuna e Bushatit me 750 hektar, Berdica me 300 hektare dhe Velipoja me 140 hektare tokë e përmbytur.


(ad.ti/shqiptarja.com)