SHKODER - Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e së premtes në Bushat, ndërsa një person ka mbetur i aksidentuar rëndë. Si pasojë Nikolin Guri, 40 vjeç ka qenë duke drejtuar një motoçikletë kur ka rrëshqitur në asfalt e për pasojë është përplasur me automjetin tip BMW me targa AA 608 IT.
 
Nga përplasja ka mbetur i dëmtuar rëndë drejtuesi i motoçikletës tip “Yamaha”. Të aksidentuarit i kanë ardhur në ndihmë kalimtarë të rastit të cilët e kanë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku i është dhënë ndihma e parë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas bluzave të bardha, Guri ka pësuar shtypje në trup si shkak i përplasjes.
 
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivët e policisë rrugore si dhe grupi hetimor i cili ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë efektivët e policisë kanë bërë të mundur edhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit deri në sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Motoçikletat janë vënë herë pas here në sitën e policisë rrugore, pavarësisht se duken të pafuqishëm për të standardizuar dhe disiplinuar lëvizjen e tyre, pasi lëvizja e motoçikletave vijon të jetë rrezik për aksidente në qarkun e Shkodrës.

aksidenti me logo

Redaksia Online
(shqiptarja.com)