SHKODER - Konsulli Italian në Shkodër Vito Stigliani bie pre e një tentative për grabitje që në fakt çdo ditë po godasin qytetin e Shkodrës. Çdo vit e më shumë një fenomen që sa vjen e zgjerohet. Kryesisht të rinj pa një të ardhme apo edhe persona që kanë probleme sociale i drejtohen shtëpive në lagje të ndryshme të Shkodrës me qëllimin për t’i grabitur. Edhe banesa e konsullit të Italisë është “pëlqyer” nga Z. Hajdut (siç dëshiron ta quaj) nga grabitësit. Nuk dihet se çfarë kanë kërkuar sepse hajduti apo hajdutët nuk kanë arritur që të marrin asgjë në shtëpinë e konsullit. Vetë Stigliani tregon ngjarjen e ndodhur.
“Isha në Itali dhe mora një telefonatë nga Konsullata, për të më treguar se ka patur një vizitë tek shtëpia ime e re ku unë sapo isha transferuar. Në shtëpi ishin vetëm gjërat e mira që ishin në kuti të ndryshme. Shtëpia ishte vizituar nga Z. Hajdut, një gjentil i vërtetë sepse ka hyrë dhe nuk ka vjedhur asgjë. Nga njëra anë shyqyr që nuk ka vjedhur gjë ndërsa nga ana tjetër nuk ka patur as se çfarë të vjedh. Janë libra, veshje, gjëra normale por pyes pse ka ndodhur kjo vizitë e këtij hajduti gjentil që nuk ka vjedhur asgjë. Jam pak i mrekulluar nga kjo vizitë e papritur. Vjedhjet në apartamente ndodhin në të gjithë botën nuk është ndonjë gjë e çuditshme por mendoj për këtë rast se më shumë është një çështje e pasigurisë këtu në Shkodër. Deri tani në Shqipëri kam 7 vite dhe nuk kam patur asnjëherë probleme, veçanërisht në Tiranë ku kam qenë funksionar i Ambasadës. Edhe këtu në Shkodër e njëjta gjë dhe shpresoj që të vazhdoj të jetoj në paqe. Jam shumë i nderuar që jam në Shkodër por me këtë problem të vogël në dukje por për mua i madh jam mërzitur pak dhe më është prishur disi qejfi” -tregon Konsulli i Italisë.
I pyetur se çfarë ka dashur hajduti apo hajdutët në shtëpinë e tij, Konsulli tregon se në banesë nuk mban gjëra të çmueshme e aq më tepër dokumenta. “Nëse Z. Hajdut gjentil do të kishte dashur të kërkojë dokumente duhej që të kishte ardhur në Konsullatë dhe jo në shtëpinë time dhe normale nëse kam dokumente nuk i lë në shtëpi por në Konsullatë. Unë jetoj vetëm dhe nuk kam gjëra me vlerë të madhe, gjëra të çmueshme. Nuk e di cili ishte objektivi i këtij hajduti gjentil”-thotë Stigliani.
Tashmë është e qartë se Stigliani nuk ndjeher si më përpara në qytetin e Shkodrës edhe pse thotë se ky akt nuk do të mund ta ndalë misionin dhe bashkëpunimin që ka me shkodranët. “Ndihem pak ftohtë sepse edhe ambjenti këtu në Shkodër këto ditë është i ftohtë, temperaturat janë të ulta por prap jam i tërhequr sepse nuk e di shumë mirë nëse ka hyrë brenda në shtëpi apo ka qenë vetëm në oborrin tim. Unë vazhdoj aktivitetin tim, promovimin e Italisë në vendin tuaj sepse nesër mbrëma në ora 10:00 prezantojmë Kodin Civil Italian në gjuhën shqipe në sallën e rektoratit të universitetit të Shkodrës ndaj ky akt nuk mund të na ndal sepse ne do të vazhdojmë punën tonë përpara për të arritur objektivat tona këtu në Shkodër”- ka përfunduar Stigliani.


Shtëpia e Konsullit!
Shtëpia e Konsullit ndodhet në një lagje jo shumë problematike. Stigliani është transferuar në një banesë në afërsi të ish-shtëpisë së Loro Boriçit. Ajo banesë ndodhet në rrugën “Ludovik Saraçi” në mes të aksit që lidh sheshin e Dugajëve të Reja me shkollën e mesme pyjore. Ajo zonë njihet për një qetësi. Aty janë banesat e disa prej familjeve të vjetra shkodrane duke qenë se është një pjesë që lidhet me një prej qendrave të qytetit e po ashtu edhe lagjen “Gjuhadol” apo në anën tjetër lagjen “Skenderbeg”. Duket se pikërisht nga qetësia që mbizotëron aty hajdutët kanë përfituar për tu future në shtëpinë e konsullit në një tentativë për grabitje. Ngjarja mësohet se ka ndodhur para disa ditësh në orët e vona të natës kur konsulli ndodhej në Itali dhe në atë shtëpi nuk ishte askush tjetër sepse konsulli Stigliani jeton i vetëm. Gjatë orëve të natës kur ka ndodhur ngjarja lëvizja aty nuk është shumë e madhe duke qenë se është rrugicë që nuk ka shumë qarkullim ndaj grabitësit nuk e kanë patur shumë të vështirë që të tentojnë me aksionin e tyre të grabitjes edhe pse nuk ia kanë arritur qëllimit.
Versioni i Policisë!
Policia e Shkodrës sapo ka marrë njoftimin për një grabitje të mundshme të shtëpisë së Konsullit Italian është drejtuar në atë vend. Policia menjëherë ka nisur hetimet e para për ngjarjen e ndodhur. Edhe pse policia nuk ka dhënë asnjë njoftim për këtë ngjarje në komunikatat e saj të përditshme mësohet se një prej dritareve të shtëpisë së Konsullit është gjetur e thyer. Po sipas policisë brenda banesës nuk është gjetur asnjë provë e ndokujt që mund të ketë hyrë apo jo brenda banesës. Po ashtu edhe gjatë kontrollit në shtëpi por edhe nga vetë konfirmimi i konsullit Italian në banesën e tij nuk ka lëvizur asgjë. Përveçse të gjitha gjërat janë në vendin e vet po ashtu nuk mungon asgjë në shtëpi. Në këtë mënyrë policia nuk ka arritur që të gjejë asnjë provë nëse hajduti apo hajdutët kanë hyrë ose jo brenda në shtëpi. Po ashtu personat që mund të kenë qenë qoftë edhe në oborrin e shtëpisë nuk kanë lënë asnjë lloj gjurme. Në këtë mënyrë misioni i policisë për të gjetur se kush e ka trazuar konsullin edhe duke e frikësuar në një farë mënyrë është shumë e vështirë për ta gjetur për të mos thënë tashmë e pamundur. Dy janë pistat e kësaj ngjarje. Në njërën anë mendohet se hajduti apo hajdutët kanë qenë aq profesionistë sa të hyjnë brenda në shtëpi dhe pasi kanë kontrolluar e nuk ju ka interesuar asgjë, të kenë lënë çdo gjë në vendin e duhur e po ashtu edhe kur janë larguar kanë ikur pa lënë asnjë shenjë. Pista e dytë që mendohet është se personi apo person keqbërës mund të jenë future vetëm në oborrin e shtëpisë dhe kanë thyer xhamin e dritares së konsullit e më pas të jenë larguar sërish pa lënë gjurmë dhe pa u dalluar nga askush aty pranë. Policia po vazhdon hetimin por deri tani nuk ka asnjë indicia se kush mund ta ketë shkaktuar atë problem e po ashtu ngjarja është tentuar të mbahet e fshehtë.
Pasiguria në Shkodër!
Pasiguria! Pasiguria! Pasiguria! Këto fjalë konsulli Italian në Shkodër Vito Stigliani por edhe qytetarët e Shkodrës i kanë përsëritur shpesh herë sidomos kohët e fundit. Qytetarët është e qartë se janë të pasigurtë për jetën e tyre për shkak të pasigurisë që mbizotëron kudo në rrugët e qytetit dhe jo vetëm në Shkodër por në mbarë vendin. Vetëm në janarin e këtij viti janë shënuar më shumë se 10 rastë të tilla grabitjesh në qytetin e Shkodrës. Pothuajse në pjesën më të madhe të tyre policia nuk ka arritur që të gjejë autorët e krimit. Po ashtu edhe gjatë vitit të kaluar shumë grabitje kanë mbetur pa autor dhe janë të pazbardhura ende sot. Bashkë me shtëpinë e Konsullit Stigliani muaji shkurt numëron 3 grabitje në total vetëm në 5 ditët e para të këtij muaji. Duke qenë se policia nuk arrin që të gjejë autorët dhe të sigurojë lagjet e qytetit, shkodranët kanë të drejtë të jenë të alarmuar duke qenë se askush nuk kujdeset për ta. Kjo ka bërë që grabitjet të kthehen në një trend në qytetin e Shkodrës. Kjo tentativë për grabitje e kosnullit Italian është një tjetër sirenë alarmi për vetë policinë që të vihen të gjejnë rrugën për t’i ndalur këta keqbërës të cilët përveçse po i prishin imazhin këtij qyteti po frikësojnë edhe qytetarët e aq më tepër turistët e huaj kur dëgjojnë të tilla histori. Grabitjet kudo në lagjet e qytetit na kthejnë shumë vite mbrapa duke na risjellë në mendjen ngjarjet e vitit 1997 dhe deri në fillim të viteve 2000 kur ky fenomen ishte shumë i përhapur.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

VIDEO







