SHKODËR, 6 Shtator/ATSH-Gaspër Marku/- Lëvizja Socialiste për Integrim, dega Shkodër , përvjetorin e 10 të themelimit të saj e festoi me një sërë aktivitetesh, të cilat filluan me krijimin e një lulishteje në një nga lagjet e qytetit, që do t'i shërbejë komunitetit për shlodhje dhe argëtim në kohën e lirë.
Deputetët e kësaj lëvizje politike, Monika Kryemadhi dhe Agron Çela të shoqëruar nga Zv.Ministrja e Arsimit, Nora Malaj, Zv.Ministri i Jashtëm, Sokol Dervishi, kryetari i bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, etj, ishin pjesë e një aksioni që dega e LSI-së Shkodër kishte marrë për shndërrimin e një sheshi përpara pallateve të lagjes së vjetër "Bahça e Çakajve", në lulishte.
Së bashku me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, ata kontribuan në mbjelljen e pemëve dekorative, duke bërë që mjedisi në fjalë, pjesë e të cilit janë edhe stolat e pushimit dhe elementë të tjerë, të shndërrohet në një ambient shlodhës dhe argëtues për komunitetin.
"Dega e LSI-së në Shkodër ka bërë një nga gjërat më të bukura, një lulishte të munguar për të gjithë këta banorë. Kjo lulishte le të jetë një model shumë i bukur për të vazhduar edhe në përvjetorët e tjerë të LSI-së, për atë që kemi më shumë nevojë, për një angazhim më social, jo vetëm të politikës, por të gjithë qytetarëve kudo që janë", u shpreh për mediat Kryemadhi.
Deputetja Kryemadhi u uroi të gjithë anëtarëve të LSI-së, LRI-së dhe të LGI-së, gëzuar festën, duke e konsideruar këtë 10-vjetor, sikur janë vetëm dhjetë minuta, por që sipas saj, në fakt janë dhjetë vjet histori, dhjetë vite të bukura, luftë, sfidë, përpjekje, fitore, beteja, qoftë edhe humbje, të cilat na janë kthyer në mësime për të arritur këtu ku kemi arritur sot.
"Ajo që është më e rëndësishme dhe mesazhi jonë kryesorë është që të gjithë politikanët, kudo qofshin, majtas apo djathtas, të jenë në funksion të njerëzve, në funksion të qytetarëve, sepse jemi këtu ku jemi nëpërmjet votave të tyre", vijoi deputetja dhe anëtarja e kryesisë së LSI-së, Monika Kryemadhi.E pyetur nga mediat në lidhje me arrestimin e guvernatorit, Ardian Fullani, Kryemadhi u përgjigj se "unë nuk dal dot mbi drejtësinë, nuk e kam këtë të drejtë, por ajo që doja të theksoja është që unë jam sot këtu në 10-vjetorin e LSI-së dhe mendoj që kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për anëtarët tanë. Drejtësia të vazhdojë punën e saj, atë për të cilën gjithë shqiptarët kanë nevojë"/k.s//m.m/











