MALËSI E MADHE - Dy qytetarëve shqiptaro-amerikanë të cilët u grabitën në vendin e njohur si Grabom, nga persona të maskuar, kishin me vete 20 mijë dollarë dhe ishin duke udhëtuar me një makinë të marrë me qera.

Burime nga Policia e Shkodrës që është duke hetuar këtë ngjarje të rëndë, kanë bërë të ditur se, Martin Vushaj dhe Luigj Selmanaj të dy me nënshtetësi amerikane, ishin duke shkuar në Vermosh për të mbyllur një krushqi.

Gjatë dëshmisë së dhënë nga dy të plagosurit se, tre persona të maskuar dhe me kallashnikovë, u kishin zënë rrugën. Pasi kanë ndaluar makinën, ata janë sulmuar me armë të ftohta thikë dhe njëri prej tyre është goditur 8 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ata kanë deklaruar se, kanë rezistuar por pasi janë sulmuar nga personat e maskuar janë dorëzuar dhe u kanë dhënë shumën e parave që kishin me vete, prej 20 mijë dollarësh.

Ata u kishin marrë edhe makinën të llojit fuoristradë, por policia e ka gjetur të braktisur më shumë se 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Për gjetjen dhe kapjen e autorëve ka nisur një operacion i madh, nga Policia e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës.

ORA 09:06 GRABITJE NE MALESI TE MADHE
Grabitje në aksin Hot-Kelmend në vendin e quajtur Grabom, ndërsa një person është plagosur. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në Malësinë e Madhe ndërsa burime nga policia kanë bërë të ditur se, dyshohet se kanë qenë tre persona ata që kishin ngritur pritën.

Forca të shumta të policisë së Malësisë së Madhe dhe ata të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Policia ka bërë të ditur se, persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë një makine e llojit fuoristradë dhe një person ka mbetur i plagosur. Emrat e personave që ndodheshin në makinë nuk janë identifikuar ende.

Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë.
 
(Lajmi fillimisht është publikuar në orën 09:36 minuta dhe më pas është përditësuar në vazhdim)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)