SHKODER - Një tjetër krim ka tronditur rrethin e Shkodrës. Lul Qarri nga komuna e Bushatit është ekzekutuar me 8 plumba në momentin që ka qenë duke hipur në automjetin e tij. Krimi i rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30 pranë komunës së Bushatit, në momentin që 40-vjeçari ka qenë duke u futur brenda makinës, kur një person i ka ardhur nga prapa dhe ka qëlluar në drejtim të tij.

Pasi është goditur me 4 plumba, Qarri e ka shtyrë autorin e krimit me derën e automjetit dhe ka tentuar të largohet por autori ka qëlluar përsëri në drejtim të tij edhe 4 herë të tjera. Si pasojë e plumbave të marrë në trup, 40-vjeçari Qarri ka rënë në kanalin pranë rrugës dhe ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.
Dëshmitarët në vendngjarje kanë njoftuar policinë e cila ka mbërritur menjëherë dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit të rëndë. Sipas uniformave blu, 40-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt dhe kjo ka bërë që Qarri të humbte jetën menjëherë.

Një nga pistat kryesore te hetimit nga forcat grupi hetimor është motivi i gjakmarrjes. Ndërsa blutë janë duke mbledhur të gjitha dëshmitë e personave që në ato momente kanë qënë pranë aksit kryesor te komunës së Bushatit ku ndodhi dhe krimi i rëndë. Nga hetimet paraprake është zbuluar se viktima në vitin 2001 është dënuar me 13 vjet burg për vrasje me dashje.

Gjatë ditëve të fundit qarku i Shkodrës është tronditur nga disa vrasje të cilat kanë pasur si shkak fenomenin e gjakmarrjes.

PROTESTA KUNDËR GJAKMARRJES
Një ditë më përpara Lëvizja për “Mendim të Lirë” apeloi për ndërgjegjësim të shoqërisë dhe strukturave shtetërore për ndaljen e fenomenit të vrasjes për gjakmarrje. “Në emër të Maries, ndal gjakmarrjen” ishte motoja e marshimit në pedonalen e qytetit të Shkodrës, ku u mblodhën dhjetëra qytetarë në një protestë kundër këtij fenomeni, duke marrë shkas nga vrasja në Dukagjin e 17-vjeçares Marie Qukaj, për shkak të gjakmarrjes.

Por pavarësisht sensibilizimit të opinionit publik dhe shoqatave joqeveritare, fenomeni i gjakmarrjes po godet fuqishëm në metropolin verior, dhe strukturat e shtetit shqiptar janë totalisht të pafuqishme përballë ligjit të maleve, i cili tashmë është shndërruar në “kushtetutën” e banorëve të qarkut Shkodër.

(en/im/shqiptarja.com)